Kryetari i Këshillit të Etikës së UP-së, Eset Morina, është denoncuar të martën në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit nga Enver Hasani, profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin Juridik.
Në shkresën që e ka siguruar KOHA, Hasani ka vlerësuar se Morina ka konflikt interesi për ta trajtuar një rast të tij, të ngritur para Këshillit të Etikës nga dekani Avni Puka. Sipas tij, Morina e ka “amnistuar” paraprakisht Pukën, pasi Hasani ka hedhur pretendimin se dekani ka doktoratë false.
“Arsyeja që ju shkruaj sot ka të bëjë me një çështje që është ngritur kundër meje më datën 27 gusht 2024, në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës. Më pastaj, më datën 9 shtator 2024, i njëjti denoncues, dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, ka bërë plotësimin e denoncimit fillestar, si ‘fakte shtesë’. Aty ai ka denoncuar çdo fjalim dhe paraqitje time publike, përfshirë ato në formë të shkruar nëpër libra që unë kam bërë për njerëz, institucione e ngjarje në Kosovë. Në mesin e tyre, dekani i Juridikut, Avni Puka, ka futur sërish edhe denoncimin që unë para një viti e kam bërë për diplomën e tij fals. Ai ka gënjyer që ka doktoruar në Itali në Fakultetin Juridik të universitetit ‘La Sapienza’. Denoncimin tim atëherë e kam bërë publik edhe në media dhe iu është dorëzuar ministres së MASHTI-t, zonjës Arbërije Nagavci, dhe rektorit Qerim Qerimi”, thuhet në shkresën e Hasanit drejtuar Antikorrupsionit.
Ai ka shkruar se Këshilli i Etikës ka vendosur që Puka ka diplomë valide të doktoratës, “por jo siç e kanë thënë tre recensuesit e raportit për zgjedhjen e tij në thirrjen akademike” që Puka e mban.
“Asnjëherë mua askush nuk më ka ftuar, si denoncues i këtij falsifikimi! Asnjëherë! Pse? Sepse po të më kishin ftuar mua, unë kam prova të tjera, që flasin qartë e mirë se Avniu ka mashtruar komisionin recensues, sepse ai nuk ka bërë doktoratë me disertacion dhe siç kërkon ligji i Kosovës, të nostrifikuar në NARIC – Kosova të MASHTI-t. Nuk ka Këshilli i Etikës kompetencë për të legalizuar asnjë diplomë të marrë jashtë vendit. Këtë e bën vetëm NARIC – Kosova në MASHTI. Kur u bë publike kjo – pra vendimi i Këshillit të Etikës për legalizim të ‘doktoratës’ së Avniut, para shumë muajve – unë kam kritikuar hapur Iset Morinën, si kryetar i Këshillit të Etikës, dhe kam thënë siç e thashë më sipër. Kjo rrethanë u bë sebep që një ndër akuzat kundër meje në Këshill të Etikës të jetë edhe ky fakt! Imagjinoni, ju lutem, denoncim për një të drejtë kushtetuese për të shprehur mendimin, plus detyrim si qytetar për të denoncuar paudhësitë që hasim, sikur të ishim në Kore të Veriut!”, shkruan në shkresën e Hasanit adresuar Antikorrupsionit. “Bashkëlidhur ju dërgoj edhe ‘faktet shtesë’ që Avni Puka i ka dorëzuar dhjetë minuta pasi unë kam bërë kallëzim penal kundër tij për pjesën financiare që ai më akuzonte mua në denoncim. Nga kallëzimi penal, të cilin gjithashtu e ridërgoj te ju pas këtij emali këtu, ju do ta kuptoni se për çfarë bëhet fjalë”.
Hasani i ka shkruar Antikorrupsionit për kërkesën e tij për përjashtim nga vendosja për rastin kundër tij të Iset Morinës, i cili është kryetar i Këshillit të Etikës.
“Deri në momentin e shkrimit të këtij denoncimi kundër tij për shkelje të ligjit që ka të bëjë me konfliktin e interesit, nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ai ose nga Këshilli i Etikës! Kur u bë denoncimi kundër meje, kam menduar se Iset Morina më nuk është kryetar i Këshillit, sepse me zgjedhjen e rektorit të ri zgjidhen edhe anëtarët e rinj të Këshillit të Etikës. Para një muaji u zgjedh rektori i ri, prof. dr. Arben Hajrullahu. Në momentin që kam marrë vesh, kam kërkuar përjashtimin e tij. Këtë do ta shihni nga materialet bashkëlidhur”, ka shkruar Hasani. “Kjo vërtet kështu nuk guxon të jetë standard i sundimit të ligjit, ku barazia e palëve në çdo procedurë është një e drejtë e garantuar kushtetuese. Siç do ta shihni nga ‘faktet shtesë’ të Avni Pukës, por edhe nga denoncimi i parë i tij kundër meje, pretendimet kundër meje kanë të bëjnë pikërisht me Iset Morinën dhe Avni Pukën, me asnjë anëtar tjetër të Këshillit të Etikës dhe me asnjë profesor tjetër të Universitetit të Prishtinës”.
Hasani ka kërkuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që ta shqyrtojë denoncimin “me një urgjencë të madhe”, pasi ka theksuar se çdo ditë merr ftesa nga Morina për të shkuar në seanca të Këshillit të Etikës, edhe përkundër gjendjes shëndetësore.
“Kërkoj njëkohësisht që Agjencia të vërë një masë të përkohshme – ndalim procedimin më tutje të rastit krejt fiktiv kundër meje, derisa Agjencia të vendosë për çështjen e konfliktit të interesit të Iset Morins, si dhe të pasojave juridike që mbart një konflikt i tillë eventual”, ka shkruar Hasani.