Hasani: PDK-ja ra në kurth me votën për Dimal Bashën, gabimi më i rëndë politik - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Hasani: PDK-ja ra në kurth me votën për Dimal Bashën, gabimi më i rëndë politik

    Insajderi
    03 September 2025 - 18:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se partia e tij ka bërë një gabim të rëndë politik duke votuar pro zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit.

    Sipas tij, PDK-ja ra në kurthin e vet pas premtimeve të dhëna se do ta votonte çdo kandidat që nuk ka qenë pjesë e qeverisë, shkruan Insajderi.

    “Kur erdh momenti që e qitën Dimalin, një deputet që ishte po ashtu paragjykues, përçarës gjatë gjithë mandatit të kaluar si deputet”, u shpreh Hasani.

    Ai tregoi se në momentin kur Arbërie Nagavci ia lexoi biografinë Bashës, në sallë nisi të qeshte pothuajse gjithë Kuvendi.

    “Të gjithë filluan të qeshnin në sallë nga ironia, nga mospërfillja, nga një veprim që ishte i papërshtatshëm si kandidat vetëm ‘hajt ta qesim’. Edhe vet VV-ja nisi të qeshte”, tha Hasani.

    “PDK-ja ra në këtë kurth duke thënë se ‘do ta votojmë secilin që del’. E ka bërë gabim më të madh të mundshëm. Gabimi më i madh dhe më i rëndë politik është ky”, theksoi ai në emisionin “DPT te Fidani”.

    Tutje, Hasani foli edhe për mos-votimin e ish-kandidates së VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të cilën e quajti “grindavece”.

    “VV-ja nguli këmbë me Albulenën që është meritore nga familja, gjyshi i tij ka qenë ideolog i lëvizjeve kombëtare dhe derisa ajo ishte jobashkëpunuese për shkak të pozicionit që je aty me gjithë Kuvendin, nuk e meritonte”, tha Hasani.

    Ai shtoi se vendimi i tij ishte i prerë: “Derisa ajo nuk e mori votën time, unë ia kam thënë në sy se ‘nuk mund të të votojë pasi je përçarëse, grindavece’. Derisa ajo nuk e mori, të tjerët nuk ishin në rend”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark