“Kjo kategori statutare ka për qëllim kapjen e profesoratit dhe shantazhimin e tyre me lojalitet politik, nëse duan të mbesin në punë”, ka thënë ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, tek ka vlerësuar përmbajtjen e Statutit të UP-së, të miratuar të enjten nga Kuvendi. Sipas tij, dokumenti ka defekte serioze kushtetuese, si në procedurë ashtu edhe në përmbajtje.
Është antikushtetues Statuti i Universitetit të Prishtinës që të enjten e ka miratuar Kuvendi i Kosovës, i ka thënë KOHËS ish-kryetari i Gjykatës Kushtetueses, Enver Hasani, i cili ka qenë edhe rektor i këtij universiteti.
Ai ka thënë se dokumenti ka defekte serioze kushtetuese, si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje.
Hasani ka argumentuar se çka e bën antikushtetues në procedurë Statutin.
“E para, Statuti është akt i përgjithshëm që afekton liritë dhe të drejtat e njeriut dhe duhet të dalë në diskutim publik. Nuk ka dalë kurrë! Formimi i tij ka qenë krejt klandestin. Kjo shkel parimet kushtetuese të barazisë, mosdiskriminimit dhe pjesëmarrjes së qytetarit në caktimin e politikave publike”, ka thënë Hasani në një përgjigje të shkruar. “E dyta, Statuti dhe çdo akt juridik duhet të skenohet nga Komisioni Statutar i UP-së, gjë që nuk është bërë. Ky standard në forma të ndryshme ekziston në çdo universitet publik, në dy anët e Atlantikut. Këto janë sa për procedurë”.
Sipas tij, shkeljet kryesore janë në përmbajtje të Statutit.
“E para, dinjiteti i njeriut me Kushtetutën e Kosovës është definues i krejt lirive dhe të drejtave të tjera nga kapitujt e saj dy dhe tre. Me Statut parashihet kategoria që askund nuk haset e që quhet diçka si ‘mirëmbajtja e titullit akademik’. Domethënë, profesorët duhet tërë jetën të jenë në ankth për botime të caktuara me qëllim të mirëmbajtjes së titujve të fituar akademikë. Deri në thirrjen e fundit akademike, domosdo që çdo universitet nxit e detyron profesoratin për avancim. Standard universitar është, megjithatë, që kur profesorët fitojnë ‘tenure’ apo vendimin për marrëdhënie të përhershme pune, ata vetëm mbajnë mësim dhe botojnë çka të duan dhe si të duan. Kjo dispozitë me këtë detyrim për ‘mirëmbajtje’ – që ngjason në diferencimet ideopolitike të kohës së komunizmit – prek sigurinë juridike dhe dinjitetin e profesorit universitar”, ka thënë Hasani. “Si e tillë, kjo kategori statutare ka për qëllim kapjen e profesoratit dhe shantazhimin e tyre me lojalitet politik, nëse duan të mbesin në punë. Edhe në Harvard e Kembrixh kur ke ‘tenure’ supozohet që ke mbërri majat e dijes dhe mbetesh i respektuar. Pra, edhe në rastet e universiteteve private! Këtu synohet që krejt profesorët e rregullt (me ‘tenure’) të rivlerësohen nga e para ose të largohen nga sistemi universitar”.
Ai ka thënë se Statuti nuk ka as dispozita kalimtare, që sipas ish-kryetarit të Kushtetueses, kurrë nuk guxon të jetë praktikë në një akt të përgjithshëm juridik.
E, tek ka folur për shkeljen e tretë, ka thënë se rrugët për avancim akademik caktohen me statut, por jo edhe kriteret materiale për verifikim të cilësisë, të cilat duhen të përcaktohen me ligj.
“Ligji i Kosovës për Arsimin e Lartë nuk e bën këtë dhe nuk autorizon statutet e njësive akademike për një gjë të tillë. Me ligj i kanë të rregulluara krejt vendet ish-komuniste, pa asnjë përjashtim. Pa ligj prishet siguria juridike dhe ky është uzurpim i funksioneve ligjvënëse nga UP-ja. Kushtetuta në nenin 55 qartë thotë se pa autorizim ligjor nuk mund të ketë kufizime ose modifikime të lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Hasani.
Sipas ish-rektorit të UP-së, Statuti i miratuar e vë Universitetin më të madh publik në Kosovë në pozitë diskriminuese në raport me universitetin serb në veri të Kosovës, që është formalisht pjesë e sistemit të arsimit të lartë kosovar.
Ai ka argumentuar edhe kundër atyre që kanë theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për kontroll kushtetues të Statutit të UP-së.
“Ky mendim është gabim sepse Rregullorja e Kuvendit dhe Statuti i UP-së janë dy aktet juridike që nuk janë ligje, ani se akte të përgjithshme edhe miratohen nga Kuvendi. Bile Statuti miratohet saktësisht sipas procedurës së njëjtë për miratimin e ligjeve të zakonshme. Ka një standard evropian nga Gjykata Evropiane e Luksemburgut që definon si ligj çdo gjë që afekton liritë dhe të drejtat e njeriut. Statuti është i tillë”, ka thënë Hasani. “Përtej kësaj, Kushtetuta është e qartë sepse vendimet e Kuvendit mund të sfidohen si për formën ashtu dhe përmbajtjen e tyre. Vendimi që miraton Statutin e UP-së nuk ka fuqi normative pa Statutin, i cili është pjesë përbërëse e vendimit. Pra, përmbajtja vendimit të sotëm të Kuvendit që ka miratuar Statutin ngërthen të njëjtin”.
Sipas Hasanit, ata që mohojnë juridiksionin thirren në një vendim të Gjykatës Kushtetuese të dhënë në procedurën e kontrollit incidental. Ai ka thënë se ky vendim nuk përbën precedent, sepse ka pasur të bëjë me një kontest kushtetues individual, kurse në rastin e Statutit bëhet fjalë për kontroll abstrakt të kushtetutshmërisë së përmbajtjes së vendimit të Kuvendit të Kosovës që ngërthen Statutin e UP-së, që është miratuar të enjten.
Hasani ka theksuar se edhe Komisioni i Venecias ka një standard të vendosur mirë prej kohësh, e sipas të cilit asnjë akt i autoriteteve publike nuk guxon t’i shmanget kontrollit kushtetues të gjykatave nacionale kushtetuese.
“Ky standard ekziston për të ofruar garanci për qytetarin se pushteti nuk ka hapësirë për të abuzuar me pushtetin duke nxjerrë akte e duke ndërmarrë veprime që bien ndesh me Kushtetutën”, ka thënë ai. “Nëse Gjykata Kushtetuese nuk qenka kompetente për vlerësim të kushtetutshmërisë së një akti të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, i cili hyn në kompetencat konkrete të Kuvendit, atëherë kush duhet ta bëjë një gjë të tillë?”.