Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, nuk ka doktorruar në “La Sapienza” të Italisë dhe se i ka mashtruar.
Për këtë, Hasani ka deklaruar se posedon edhe dëshmi.
“Për çështjen e Dekanit të Fakultetit Juridik, ajo që e kam thënë është e saktë 100 përqind. Ai nuk ka diplomë siç ka gënjyer të La Sapienzës, nuk ka doktorruar siç na ka thënë neve. Siç shkruan raporti, ai është avancuar në thirrjen akademike të profesorit të asociuar për shkak se siç na ka thënë neve ka diploma. Unë i kam provat që nuk është ashtu, është gënjeshtër dhe vetëm në Kosovë mund të ndodhë që Dekani I Juridikut ku supozohet se prodhohet drejtësia dhe kryeprokurori i shtetit ku implementohet, mund të ketë diplomë fals dhe mund ta kryejë mandatin. Kjo ndodhë veç në Kosovë”, ka thënë ai.
Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka konfirmuar vërtetësinë e përfundimit të studimeve të doktoratës në Universitetin e Romës nga ana e Pukës.
Mirëpo, Hasani ka thënë se kjo nuk është kompetencë e këtij Këshilli.
“Këtë e bënë vetëm Ministria e Arsimit”, ka shtuar ai.
Hasani ka pasur kritika edhe për anëtarët e Komisionit.
“Ai komision është formuar nga tre pensionistë, të cilët nuk dinë asnjë fjalë në gjuhën angleze. Pensionistët nuk kanë të drejtë të kenë asnjë angazhim me ligj në Universitet”, ka theksuar Hasani.
Sipas tij, Këshilli i Etikës nuk është kompetentë të vërtetojë se një profesor universitar “është plagjiatorë, apo ka diplomë të rremë”.
Ministria e Arsimit, sipas tij, nuk është përgjigjur kurrq pretendimeve të tij.
“Këtu është e keqja. Këtu shihet qartë se pushteti nuk ka pasur vullnet, pasi me një procedurë jashtëzakonisht të thjeshtë mund ta vërtetonte se nuk ka diplomë”.
Në vlerësimin e Hasanit, “është e turpshme” për Fakultetin e Juridikut që në krye të jetë një dekan që është mashtrues ordiner.
“Nuk ka diplomë, nuk di të flasë as anglisht e as italisht”, shtuar ai.