Korrupsioni vazhdon të jetë i shtrirë në të gjitha sektorët e shtetit, por problem kryesor i vazhdueshëm është fusha e prokurimit. Kështu thotë Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, i cili njofton se së bashku me institucionet e gjyqësisë janë pajtuar që këtë sektor ta trajtojnë me prioritet.
“Sipas raporti të [Komisionit Evropian] por edhe sipas vlerësimeve të mëhershme të Agjencisë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, vlerësimet e rrezikut më shumë janë në fushën e shëndetësisë, arsimit, gjyqësisë, sektorët e energjisë dhe minierave, po ashtu edhe në nivelin lokal dhe atë qendror. Pra, do të thotë ka vlerësime se në të gjitha nivelet rreziku i korrupsionit është prezent”, ka thënë ai.
Havolli ka folur edhe për problemet me të cilat ballafaqohet agjencia që ai drejton, e që ndër të tjerash përfshijnë kornizën legjislative dhe problemet me mekanizmat e drejtësisë.
“Shpesh Agjencia ka kritikuar gjyqësorin dhe prokurorinë, sepse kallëzimet penale të Agjencisë po hidhen poshtë nga ana e prokurorisë dhe gjyqësorit. Janë evidente këto probleme, edhe pse prej kur kam ardhur kam filluar ta trajtoj çështjen se pse po hedhen këto kallëzimet penale”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.
“Siç e dini, agjencia e ka një mandat të hetimit administrativ dhe kryesisht kallëzimet penale i dërgon në Prokurori me dyshim të arsyeshëm, pasi që edhe vet legjislacioni nuk ia lejon një fuqi ekzekutive, që të merr sa më shumë prova materiale gjatë hetimit. Kështu që, me ato prova që i ka gjatë hetimit, konform mandatit që e ka, i dërgon ato në Prokurori. Nganjëherë prokuroria kërkon prova tjera, ndërsa në disa raste i hedh ato poshtë. Pastaj, ka raste kur ato hedhen poshtë edhe pa bazë”, ka shtuar ai.
Por ai thotë se është takuar me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi dhe siç thotë ai, “tash e tutje do të kemi një koordinim më të afërt me Prokurorinë dhe policinë”./Insajderi.com