
Qeveria e Kosovës ende s’ka caktuar një emër të ri për ministër të Shëndetësisë, por s’është përjashtuar mundësia që ky sektor të udhëhiqet nga një pjesëtar i Listës “Guxo”, partnere e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, të mërkurën i pyetur se a do të jetë ministri i ri nga radhët e kësaj liste, ka thënë se “nuk mund të flasë se kush do të jetë ministri”, por ka shtuar se “natyrisht që do të ketë edhe konsulta”.
Ministria e Shëndetësisë është me ushtruese detyre që kur Arben Vitia la postin për të garuar për të parin e Prishtinës në zgjedhjet lokale. Dafina Gexha po e ushtron këtë pozitë, ndërsa vetë Vitia ka thënë se s’do të kthehet në këtë post, pavarësisht rezultatit në zgjedhje.
Emri i deputetit Haxhi Avdyli është përfolur për postin e ministrit.