
Deputeti i koalicionit VV-GUXO-Alternativa, Haxhi Avdyli, ka vizituar sot kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për ta uruar pas zgjedhjes në këtë pozitë.
Takimi u zhvillua në zyrën e kryetarit të Kuvendit, ku sipas një postimi të Avdylit, biseduan për situatën aktuale politike në vend.
Në fotografitë e publikuara nga ky takim, shihet se Basha e priti deputetin Avdyli me dorë në xhep.
Avdyli në reagimin e tij ka vlerësuar Bashën si një politikan me energji pozitive dhe qëndrime të qarta, duke thënë se beson se ai do të jetë një kryetar i denjë i Kuvendit të Kosovës.
“Dimali ishte propozimi që mori votat e nevojshme, prandaj sot është kryetari legjitim dhe fuqiplotë i Kuvendit të Kosovës. Besoj shumë që do të jetë një kryetar i mirë i Kuvendit”, ka shkruar Avdyli.