Ministrja Albulena Haxhiu i ka reaguar Prokurorisë Speciale, lidhur me reagimin për etiketimin rreth rastit të pronës milionëshe në Veternik.
Ministrja thotë se lëshimi i vetëm i saj në reagim është tek adresa e dërgimit të zarfit dhe që rastin s’e ka në dorë PSRK-ja mirëpo Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Por, thekson se pretendimet e familjarëve që përmendin se në këtë rast ka të përfshirë edhe persona nga PSRK-ja janë të sakta në atë reagim të saj.
“Kështuqë Prokuroria Speciale para se të më përgjigjet mua brenda orësh është mirë t’i përgjigjet pretendimeve, për të cilat nuk ka thënë asnjëherë asgjë madje as sot”, shkruan ndër të tjera Haxhiu.
Postimi i plotë i Haxhiut:
“Në lidhje me reagimin e Prokurorisë Speciale e ndjej të obligueshme t’i përgjigjem që i vetmi lëshim në reagimin tim është te adresa e dërgimit të zarfit dhe Prokuroria që e ka në dorë rastin, që është ajo themelorja, ndërkaq pretendimet e familjarëve që përmendin se në këtë rast ka të përfshirë edhe persona nga vet Prokuroria Speciale janë të sakta në reagimin tim dhe tashmë ato janë bërë publike.
Kështuqë Prokuroria Speciale para se të më përgjigjet mua brenda orësh është mirë t’i përgjigjet pretendimeve, për të cilat nuk ka thënë asnjëherë asgjë madje as sot“.
Prokuroria Speciale i ka reaguar Haxhiut duke thënë se rastin e pronës në Veternik nuk e ka pasur asnjëherë në trajtim dhe se deklarimet e saj janë të pavërteta e tendencioze.