
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të votuar Raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Ajo ka deklaruar se partia e saj është e hapur për zgjidhje, por nuk do të lejojë, siç u shpreh, “lojërat e opozitës”.
“Nuk mund të ketë vendime të njëanshme nga kryesuesi i seancës konstituive. Është e domosdoshme që partitë politike të konsultohen dhe të arrihet një dakordim për rrugën përpara, në mënyrë që të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës”, shkroi ajo.
Haxhiu u shpreh se dalja nga situata aktuale kërkon konsensus politik dhe se nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që parasheh hapat nëse nuk verifikohen mandatet.
“Ne jemi të hapur për çdo zgjidhje që çon drejt konstituimit të Kuvendit, por nuk mund të pranojmë kërkesa absurde dhe të pambështetura ligjërisht”, shtoi ministrja në detyrë.
Haxhiu kritikoi ashpër opozitën për, siç tha ajo, vazhdimin me “avazin e vjetër të bllokadave dhe kërkesave të stërvjetëruara për dorëheqje”, duke theksuar se këto janë çështje që tashmë janë tejkaluar.
Pavarësisht ngërçit politik, Haxhiu tha se shumica parlamentare mbetet e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje institucionale dhe demokratike që do të çojë drejt funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës./Insajderi