Pas rreth tri orësh, ka përfunduar intervisitmi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale.
Pas përfundimit, Haxhiu ka thënë para mediave se dikujt po i pengon puna e saj dhe po tentojnë ta pengojnë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë për deklaratën time që ka kohë qe e kam deklaruar që ndërlidhet më përpjekjet e prokurorëve për takime, favore të tjera. Kam shpjeguar që ne si qeveri nuk funksionojmë asisoj jo si në të kaluarën por ne e kemi obligim që ti adresojmë reformat në drejtësi. Siç duket dikujt po i pengon prandaj edhe Prokuroria Speciale po tenton të pengoj punën time” deklaroi ajo para mediave.
Ajo, në një konferencë për media, ka deklaruar se e pati një pyetje shokuese nga prokurori i rastit, për të cilën thotë se ashtu është deklaruar Partia Demokratike e Kosovës dhe disa analistë politikë në emisione televizive.
“Siç duket prokuroria zgjohet nga deklaratat e mia, si duket më shumë merret me deklaratat e mia se sa me punët që i ka, dhe me fjalët që them në emisione. Ka qenë e udhës të më ftojë në kuadër të bashkëpunimit institucional, por përpjekjet e tyre me autorizim të policisë tregojnë shumë për qasjen që kanë, por edhe motivet që mund të kenë është e habitshme dhe shokuese se njëra nga pyetjet që më është parashtruar sot është ‘Çka ke menduar me ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës?’”.
Sipas PSRK-së, intervistimi i Haxhiut, u bë edhe dje lidhur me deklaratat e dhëna në një emision televiziv në Kosovë më 2 korrik dhe postimin e saj më 20 korrik për arratisjet nga burgjet e Kosovës.
“Me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 Korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ajo ditë më parë kishte hedhur dyshime edhe rreth rastit të Faton Hajrizit, i cili u raportua si i vrarë nga policia serbe të premten e kaluar në Loznicë.
Albulena Haxhiu, deklaroi po ashtu se arratisja e të burgosurve nga burgjet e Kosovës po bëhet me ndihmën e grupeve kriminale serbe.