
Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka sulmuar sistemin e drejtësisë duke e quajtur të politizuar. Sulme ka pasur edhe për Prokurorinë Speciale, ku ministrat e Qeverisë Kurti dhe akterët e VV’së kanë ngarendur së dëshmuari në zyrat e tyre.
Haxhiu në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë së mërkurën, ka tentuar të tingëllojë paksa si shefi i saj, Albin Kurti, teksa ka folur për sistemin e drejtësisë, shkruan Insajderi.
“Më duhet me thanë që sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës kurrë më i lirë nuk ka qenë nga ndikimi politik. Amo më duhet sërish me thanë: Asnjëherë më politik s’ka qenë sistemi i drejtësisë”, ka thënë ajo.
“Nuk kanë mundur të na ndalin me veprime në Kuvend opozita, ose dikush nga analistët në studiot televizive, kanë zgjedhur me Prokurorinë Speciale. Pavarësisht përpjekjes së tyre për të na frikësuar, nuk kanë arritur që të na ndalin. Mbështetjen e qytetarëve për Lëvizjen është shumë e madhe dhe kjo është dëshmia e qartë se do të vazhdojmë suksesshëm për të gjitha premtimet”, ka shtuar ndër të tjera ministrja në detyrë. /Insajderi.org/