Për dy ditë radhazi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për shkak të një deklarate që dha në një televizion, dhe një shkrim në profilin e saj në Facebook.
Haxhiu ka akuzuar Prokurorinë Speciale se po tenton të pengojë punën e saj, shkruan Insajderi.
Ajo tha se u intervistua dje dhe sot dhe se rasti i parë për të cilin është intervistuar ka qenë “me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj”.
“Siç e dini me urdhër të Prokurorisë Speciale, dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që nuk e kam thënë për herë të parë, ka kohë që unë kam deklaruar asisoj që ndërlidhet me përpjekjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj, etj. me ç’rast kam shpjeguar se ne si Qeveri nuk funksionojmë si në të kaluarën, por që ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi. Dhe duket se dikujt po i pengon dhe siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që në vazhdimësi çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time si dëshmitare”.
“Kam shpjeguar dy raste me të cilën jam përballë si ministre e Drejtësisë, por nuk do të flas. Kam përmendur emra të përveçëm”.
Haxhiu ironizoi me Prokurorinë duke thënë se “Prokuroria rri më shumë ne profile të mia në rrjete sociale sesa që merret me punë me përgjegjësitë që ka. Është për t’u duartrokitur që më përcjellin edhe në debate televizive”.