Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se në sitautën e tanishme, e vetmja parti politike në Kosovë që mund ta rrëzojë qeverinë është partia e tij.
“Vetëm PDK-ja mund ta rrëzojë Qeverinë, dhe askush tjetër”, ka thënë Haxhiu duke komentuar një iniciativë të partive opozitare për të iniciuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Nuk është Nisma [parti] që mundet me e rrëzu qeverinë,” ka thënë ai në një intervistë për RTV Dukagjini, duke shtuar se për rrëzimin e Qeverisë ende nuk është momenti i duhur.
Sipas tij, nuk ka gatishmëri “të tillë për momentin” sepse siç ka thënë ai, ka detyra dhe obligime “të tjera përpara që duhet të kryhen”.
I pyetur nëse Qeverinë mund ta rrëzojë edhe LDK-ja si partia e dytë më e madhe në vend, Haxhiu ka thënë se LDK nuk ka interes ta rrëzojë kryeministrin e vet.
Nisma për Kosovën ka propozuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës, të cilën deri më tani e kanë përkrahur edhe partitë e tjera opozitare, VV dhe AAK./Insajderi.com