
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar procesin e zgjedhjes së kryekuvendarit dhe veprimet e disa partive politike.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se partia e parë, e cila ka të garantuar ekskluzivitetin për propozimin e kryekuvendarit, e kaloi procesin pa marrëveshje politike, vetëm me insistim procedural.
“PDK dhe deputetë të disa grupeve politike, ‘peng’ të fjalës publike, e zgjodhën propozimin e pestë të VV-së për kryekuvendar. Fillim jo i mbarë nga z. Basha, duke vazhduar me shkelje kushtetuese tek ndarja e votimit për nënkryetarët e komuniteteve pakicë,” shkruan Haziri.
Ai ka kritikuar gjithashtu vendimin e VV-së, PDK-së dhe deputetëve të tjerë për të zgjedhur për kryetar një person që, sipas tij, është bashkautor i një punimi që përbalt UÇK-në dhe ka shkaktuar pakënaqësi mbi përshkrimin e luftës çlirimtare.
Haziri ka komentuar edhe mbi përshkrimin e Islamit në të njëjtin punim, duke vënë në dukje se fushata ndaj rezistencës dhe luftës çlirimtare është interpretuar gabimisht për të shfaqur një orientim islamik, më shumë se për t’u paraqitur si një çështje kriminale.
“Jam njëri nga ata që u jap mundësi të gjithëve të dëshmohen, sepse secili duhet të ketë një mundësi të dytë. Kjo vjen kur e kupton gabimin dhe kërkon falje, e nuk manipulon të vërtetën,” ka shtuar Haziri.
Deputeti ka bërë thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe për zhvillimin e procesit politik në përputhje me normat demokratike dhe të drejtën për qeverisje të përgjegjshme.