Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, që njëkohësisht është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Rusia e ka të shtrirë agjendën e saj në vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën.
Sipas tij, puçi i dështuar në Mal të Zi në ditën e zgjedhjeve është shembull konkret i shtrirjes ruse në rajon.
Haziri ka thënë se Rusia “është de facto dhe de jure e etablume” në Kosovë që nga viti 1999 ndërsa thotë se tashmë Rusia ka “prezencë të fuqishme diplomatike” në Kosovë.
“Penetrimi rus është duke vazhduar me strategji në Ballkan”, ka thënë ai, duke shtuar se në këtë kontekst as Kosova nuk mund të përjashtohet.
“Rusia në fund duhet me u pajtuar me politikën e Kosovës, por në kuadër të një marrëveshje që ka me u realizu mes nesh edhe tyre. Sepse ata definitivisht po e shohin që përmes Serbisë nuk mund të jenë prezent në Kosovë dhe nuk mund të kenë ndikimi këtu,” ka thënë ai në emisionin Komiteti Qendror të Gazetës Express, që transmetohet në RTV Dukagjini.