BE hedh poshtë kritikat e Thaçit për vonesën e liberalizimit të vizave – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    BE hedh poshtë kritikat e Thaçit për vonesën e liberalizimit të vizave

    Insajderi
    12 November 2016 - 13:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë kritikat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili ditë më parë kritikoi ashpër qasjen e BE-së ndaj Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave, duke thënë se Kosova është trajtuar në mënyrë të veçantë krahasuar me vendet e tjera që kanë kaluar këtë proces

    “Kërkesat e udhërrëfyesit të liberalizimit te vizave janë në përputhje me kërkesat për shtetet tjera te cilat kanë kaluar në këtë proces,” i ka thënë Zyra e BE-së në Kosovë Insajderit.

    Presidenti Thaçi para disa ditëve nuk kurseu akuza të ashpra ndaj BE-së, që sipas tij, ka pasur qasje diskriminuese ndaj Kosovës.  Në një shkrim të publikuar në gazetën Neë Europe, Thaçi deklaroi se Kosovës përveç që iu vonua dhënia e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, BE-ja caktoi edhe më shumë kritere se sa për vendet e tjera.

    “Ne s’kemi se si të mos e vërejmë trajtimin e veçantë të Kosovës, në krahasim me fqinjët e saj, kur bëhet fjalë për procesin e liberalizimit të vizave. Teksa pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor morën një Udhërrëfyes më 2008, Kosova u desh të pres deri më 2012 për të marrë të njëjtin”, ka shkruar ai.

    Por, përderisa BE deklaron se Kosova nuk ka pasur kritere shtesë në këtë drejtim, edhe kritika e Thaçit për vonesën për dhënien e udhërrëfyesit mund të shihet e paqëndrueshme.  Në vitin 2008 kur disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor morën këtë udhërrëfyes, Kosova vetëm sa kishte shpallur pavarësinë e saj.  Atë kohë, prioritet kryesor nacional dhe i politikës së jashtme ishte fillimisht bindja e shteteve evropiane dhe të kontinenteve të tjera që ta njohin shtetësinë e Kosovës.

    Komisioni Evropian rekomandoi në maj të këtij viti heqjen e vizave për Kosovën, me kusht që vendi t’i përmbushë edhe dy kritere të mbetura: ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin kufitar me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Presidenti Thaçi insistoi në shkrimin e tij se Kosova ka bërë punë të mirë në luftën e saj kundër korrupsionit e krimit të organizuar, por KE përmes Raportit të Progresit të publikuar të mërkurën, i komunikoi Kosovës faktin se duhet ende punë për t’u bërë në këtë drejtim.

    Në raport thuhet se Kosova është ende në fazë fillestare për krijimin e një sistemi funksional të drejtësisë, ndërsa si shqetësime BE-ja ripërsëriti faktin se politika ende vazhdon të ketë ndikim mbi institucionet e drejtësisë.

    Sa i përket luftës ndaj krimit të organizuar, raporti thotë se ka pasur shtim të numrit të hetimeve për raste të nivelit të lartë por numri i dënimeve, hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë vazhdon të jetë i ulët.

    “Korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë problem serioz.  Një vendosmëri më e fortë politike nevojitet për të luftuar atë,” thuhet në raport.

    Ndërsa të premten gjatë vizitës së tij në Kosovë, Komisionari për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, ka thënë se Kosova është pajtuar me kriteret në fillim të procesit dhe se është befasuar me kritikat e liderëve kosovarë ndaj BE-së lidhur me këtë çështje.

    Në viti 2010, gjatë fushatës zgjedhore për të marrë mandatin e dytë si kryeministër, Thaçi premtonte se brenda 15 muajve kosovarët do të mund të udhëtonin në BE pa vizas.

    Kjo nuk është hera e parë që Thaçi adreson kritika në drejtim të BE-së lidhur me vonesat për liberalizimin e vizave.  Për më tepër, ai ka thënë se një vonesë e tillë mund të nxitë ekstremizmin radikal në Kosovë/Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark