×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Hekuran Murati gënjen për numrin e vdekjeve në vendin e punës, dy u raportuan përgjatë këtij viti

    Insajderi
    06 June 2024 - 14:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar rrejshëm të dhënat për numrin e aksidenteve që kanë përfunduar me fatalitet në vendin e punës përgjatë periudhës janar-qershor të këtij viti.

    Murati, teksa ka tentuar të marrë meritat si Qeveri për çështjen e rritjes së numrit të Inspektorëve të Punës, ka thënë se numri i aksidenteve me fatalitet në vendin e punës në gjashtëmujorin e parë të 2024-ës është 0, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Deri më tani, sivjet kemi 0 aksidente me fatalitet në vendin e punës. Urojmë që ky trend të vazhdojë deri në fund të vitit, e të bëhet normë e re edhe për vitet e ardhshme! Inspektorati i Punës do të vazhdojë kontrollet me intensitet të shtuar, sidomos në sektorët që përbëjnë rrezikshmëri të lartë.  Kemi dyfishuar numrin e inspektorëve të punës, dhe numri do të rritet edhe më tutje sivjet”, ka shkruar Murati.

    “Gjithashtu, janë shtuar ndjeshëm edhe kampanjat e përqëndruara të inspektimeve, siç e kishim në tremujorin e parë të këtij viti, në bashkëpunim edhe me ATK-në. Në mënyrë që ky trend i jashtëzakonshëm të vazhdojë, lusim të gjithë punëtorët që të kenë kujdes gjatë punës.

    Njëkohësisht u bëjmë thirrje edhe punëdhënësve që të sigurohen se i përmbushin kushtet për të ofruar ambiente të sigurta pune dhe pajisje përkatëse që parandalojnë lëndimet në vendin e punës”, ka shkruar tutje ministri Murati.

    Në fakt, përgjatë së njëjtës periudhë Policia e Kosovës ka njoftuar për tri vdekje në vendin e punës.

    Rasti i parë ka ndodhur në Qirez të Skenderajt, ku një burrë i moshës madhore humbi jetën në një vendpunishte.

    “Bazuar në informatat fillestare, sot rreth orës 13:43 është raportuar se në një vend punishte në fshatin Qirez të Skenderajt, në rrethana tani për tani të pa sqaruara ka humbur jetën, viktima mashkull i moshës madhore”, kishte njoftuar Policia e Kosovës më 10 shkurt të këtij viti.

    Një rast tjetër ka ndodhur përgjatë muajit maj, ku një person ka humbur jetën në vendin e punës në Novobërdë. I njëjti derisa ka qenë duke punuar në një shtëpi, është rrëzuar nga çatia.

    Ndonëse dyshohet për vdekje të natyrshme, Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe një grua ka humbur jetën në një furrë në Mitrovicën e Veriut në maj të këtij viti.

    “Rreth orës 13:15, policia është njoftuar se në një furrë në Lagjen e Boshnjakëve është një person i shtrirë, pa ndenja. Personi, e cila besohet të jetë punëtore në këtë furrë është dërguar me ndihmë të parë në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, ku mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e saj”, pati njoftuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

    Shifrat e ministrit Murati vihen në mëdyshje kur ballafaqohen me statistikat që kanë prezantuar sindikatat e punëtorëve të sektorit privat.

    Murati në paraqitje tabelare thotë se përgjatë vitit që shkoi në periudhën janar-qershor kanë vdekur nëntë punëtorë në vendin e punës. Ndryshe nga ministri, Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat pati njoftuar se në shtatë muajt e parë të 2023-ës, në vendin e punës kanë vdekur 18 persona.

    Pavarësisht synimit të Inspektoratit të Punës që numri i inspektorëve të shkojë në 120, kjo shifër është relativisht e vogël në raport me numrin e firmave të ndërtimit. Përgjatë vitit që shkoi, janë numëruar diku rreth 60 mijë kompani ndërtimi në Kosovë.

    Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.

    “Duhet që të jemi të vetëdijshëm që me këtë numër të inspektorëve që për momentin janë aktiv dikun 33 ose 34, është një numër për të cilin këta edhe nëse bëjnë punë mbi hyjnore nuk mund të ja arrijnë që t’i kryejnë obligimet që i kanë ndaj organit që i ngarkon. Nuk mundet sepse po t’i vizitosh 60 mijë kompani me 34 inspektor të cilët duhet ta monitoroj ligjin e punës, marrëveshjen kolektive, ligji mbi sigurimet shëndetit në punë dhe shtatë a tetë ligje të tjera me 34 inspektor kjo është diçka sikur të marrësh në deti një lugë ujë”, kishte deklaruar ai në shtator. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark