Një shporet i zi dhe i vjetër, një bukë e pjekur në tepsi qëndron mbi atë shporet, dyshemeja në dërrasa pa asnjë copë tepihu, mure të ndotura që nuk ngjajnë aspak me kushte normale banimi.
Këto janë kushtet që e rrethonin deputetin e LDK-së, Anton Quni, që kishte hyrë mbathur brenda shtëpisë ku jeton Rafeti, fëmijë 8-vjeçar, të cilin e mbante në prehër.
Deputeti Quni kishte zgjedhë që ta vizitonte atë pikërisht për festën e ’28 Nëntorit’. Këtë ia kishte premtuar Rafetit dy javë më herët, kur e kishte takuar për herë të parë në Dragash.
“Rafetin 8 vjeçë, nga fshati Rencë i Dragashit, e takova para dy jave në dalje të Dragashit për Prizren. Më dha shenjë të ndaloj. Ishte kohë me shi dhe bënte ftohtë. E ndalova makinen, e mora, u ulë në ulësen e pasme dhe vazhduam rrugën së bashku. Filluam biseden si dy të rritur. Edhe pse i lagur dhe i ngrirë nga të ftohtit ishte i hareshem dhe i lumtur”, kishte shkruar deputeti Quni në facebook.
“Kishte arritur që t’i siguronte ca fruta për motren 3 vjeçare që ishte e lënduar. Një bëmirës ia kishte dhuruar ca pemë. Në Dragash kishte ardhur në këmbë..rreth 7 km rrugë nga fshati i tij, por kjo largësi nuk i bënte përshtypje pasi që kishte siguruar pak ushqim për të motren”, e përshkruante më tej Quni takimin me Rafetin 8-vjeçar.
Para se të ndaheshin, fëmija i kishte kërkuar deputetit që ta vizitonte në Ditën e Flamurit, gjë që e kishte bërë dje.
“Rafet, ti je heroi im! Urime Dita e Flamurit!”, ishte fjalia e fundit e tekstit mbi fotografinë ku shiheshin bashkë.
Por deputeti nuk kishte shkruar asnjë fjalë për gjendjen ku jeton “heroi” i tij me familje. Mbi të gjitha, asnjë thirrje për ndihmë ndaj tyre.
Kurse deputeti Quni i ka thënë Gazetës Insajderi se vetë fotografia tregon gjendjen e tyre ku jetojnë.
“E para, vetë fakti që ai del merr ushqim për motrën, flet se në çfarë gjendje është ai; e dyta, edhe foto po ashtu tregon se në çfarë gjendje është”, ka thënë Quni për Insajderin.
Megjithatë, duke u përgjigjurn në pyetjen e Insajderit, ai nuk harron ta përshkruajë gjendjen që e ka parë atje.
“Është një gjendje e mjerueshme të cilën nuk mundesh me përshkrua. Besoj se institucionet, edhe kush ka mundësi duhet që t’i ndihmojë asaj familje”, ka thënë më tej Quni.
“Edhe unë jam ndjerë keq nga ajo gjendje. Nuk kisha dashtë askënd me pa në atë gjendje. Unë jam në kontakt me shumë njerëz të cilët më kanë kontaktuar për të. Ata kanë nevojë me fillu jetën nga fillimi. Aty ku ata jetojnë janë të rrezikuar edhe nga shumë sëmundje të ndryshme”, përshkruan ndjesinë e tij deputeti i LDK-së, Anton Quni./Insajderi.com