Janë mjekë e infermierë, veshin mantel të bardhë e bëjnë punë të njëjtë si të tjerë, por paguhen shumë më ulët se një pjesë e madhe e kolegëve të tyre.
Organizata “Caritas” në Kosovë ka një projekt me të cilin mundëson qendra të mjekësisë familjare, kryesisht përgjegjësi e komunave, që të mbushin pozitat e domosdoshme me punëtorë.
Një mjek i përgjithshëm me këtë projekt paguhet 500 euro, kurse një infermier, vetëm 350 euro, e grupi i këtyre mjekëve e infermierëve që janë të angazhuar në institucionet shëndetësore në Ferizaj nuk kanë marrë paga tash e disa muaj.
Krejt ky rrëfim që e sjell Insajderi nisi ditë më parë kur në redaksi u ankuan disa nga ta, ankesa ishte fillimisht për zvarritjen që u bëhet për rroga.
Gazeta Insajderi ka rënë në kontakt me disa prej punëtorëve, por që të njëtit nuk kanë guxuar të flasin, madje as në kushte anonimiteti. Megjithatë një nga ta në kushte anonime ka treguar rreth mungesës së pagave, shkak rreziku për të humbur punën edhe pse mundi i tyre nuk po paguhet.
I kontaktuar nga Insajderi, menaxheri i kontratave për këtë kategori punonjësish shëndetësor nga “Caritas”, Xhevdet Haxhidema ka një shpjegim për arsyen e vonesës së pagave që ju është bërë punëtorve tash e sa muaj.
“Arsyeja e vonesës në paga, lidhet me bllokimin e xhirollogarisë së Komunës, nga ana e nivelit qëndror. Une si menagjer i kësaj kontrate i kam përgaditur me kohë të gjitha raportet e punës, poashtu nga ana e projektmenagjerit në Caritas Kosova janë përgaditur edhe faturat për pagesë, janë të nënshkruara nga të dyja palët, por për momentin nuk mund të dalin mjetet në llogari të Caritasit për shkak të llogarisë së bllokuar” , u shpreh ai.
Një nga punëtorët që ka folur në kushte anonimiteti për Insajderin, ka treguar se tash e sa muaj janë munduar të kërkojnë përgjigje nga drejtoresha e Financave në këtë komunë, Sabahate Ajeti- Sadiku, si dhe nga menaxheri i kontratave, Xhevdet Haxhidemi, por insistimi ka qenë i kotë.
Asnjëri nga ta nuk u kishte kthyer përgjigje këtyre punonjësve shëndetësor.
Xhevdet Haxhidema hedhë poshtë deklarimet e punëtorëve shëndetësorë të Caritasit duke thënë se dhe punëtorëve ju kemi dhënë të njëjtat arsyeje sa i përket vonesave në paga.
I pyetur se kur priten të realizohen këto pagesa ndaj punëtorëve ai tregoi se sapo të lirohet llogaria e Komunës të gjitha mjetet dalin në llogaritë personale të punëtoreve shëndetësorë.
“Sapo te lirohet llogaria e Komunes, ne i kemi dokumentet e gatshme dhe besoj që brenda 2 – 3 ditësh të gjitha mjetet dalin në llogaritë përsonale të punëtorëve shëndetesorë”, tha Haxhidema.
Insajderi po ashtu i ka dërguar pyetje kryetarit Agim Aliu për të marur një prononcim rreth këtij problemi, duke pasur parasysh qe komuna ia transferon parat organizatës ‘Caritas’, e pastaj organizata ua transferon atyre, por që nuk ka pranuar të flas.
Gazeta Insajderi është munduar të flas me drejtoreshën e Financave, Sabahate Ajeti – Sadiku, e cila nuk ka pranur të flas.
Këta punonjës shëndetësor, kryesisht punojnë madje edhe me orarë të njëjtë me punonjësit shëndetësor që paguhen nga buxheti i shtetit, e po ashtu përballen me rreziqet e njëjta. Pagat i kanë dukshëm më të ulëta. Si kategori, madje nuk kanë as zë përfaqsues sindikal.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar dhe Kryetarinë e Federatës sindikale, Blerim Syla, duke e pyetur se a është në njohuri me rastin dhe kush i mbron të drejtat e tyre, ai u shpreh se nuk ka njohuri rreth rastit duke mos dashur të komentoj më shumë rreth kësaj qështje.
Caritas ka bashkëpunime me disa komuna të vendit për të paguar një pjesë të obligimeve financare për disa punonjës shëndetësor, sikur se ky projekt me Komunën e Ferizajt. Megjithatë, punonjësit shëndetësor që janë pjesë e këtyre projekteve, në përgjithësi kanë paga më të ulëta se ata që paguhen nga linja të buxhetit te shtetit.
Vlen të theksohet se nuk është hera e parë qe hasen punëtorët me këtë problem, kujtojmë se vite më parë kanë pasur telashe me paga po në Ferizaj.