Heshtje dhe pikëllim: Jabllanica rënkon për Vetonin, Idealin e Ramën – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Heshtje dhe pikëllim: Jabllanica rënkon për Vetonin, Idealin e Ramën

    Insajderi
    03 February 2025 - 16:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ajri në Jabllanicë është i rënduar nga pikëllimi. Rrugët e ngushta të fshatit i ka mbuluar heshtja. Banorët janë në zi për Vetonin, Idealin e Ramën…

    “Na kanë mbytur me dhimbje këta tre djem. Asnjë problem prej tyre nuk e kemi pasur kurrë”, thotë Mehreme Ahmetaj nga ky fshat i Gjakovës.

    Mehreme Ahmetaj
    Mehreme Ahmetaj

    Veton Morina, 13 vjeç, Ideal Rama, 15 vjeç, dhe Ramë Mehmetaj, 15 vjeç, humbën jetën më 1 shkurt nga shembja e një objekti të vjetër në Jabllanicë – pjesa jugperëndimore e Kosovës.

    Policia tha se objekti u shemb në rrethana ende të panjohura dhe se të miturit ishin brenda në kohën kur ra pllaka e tij.

    Objekti i vjetër i shembur...
    Objekti i vjetër i shembur…

    Familjarët, të ngufatur nga dhimbja, refuzojnë të flasin shumë.

    “Rama e kishte shumë qejf futbollin. Njësoj edhe Ideali”, tregon për Radion Evropa e Lirë, kushëriri i Ramës, Berati.

    Berat Mehmeti.
    Berat Mehmeti.

    Teksa lufton për të pranuar realitetin mizor, ai ndalet për ca sekonda dhe vazhdon të flasë sërish…

    “Vetoni vinte nga një mëhallë tjetër e fshatit, por të tre kanë qenë shokë shumë të ngushtë, kanë ndenjur bashkë, kanë luajtur bashkë. Nuk kanë bërë kurrë probleme”, thotë Berati.

    Ai supozon se tre djemtë tashmë të ndjerë kanë qenë duke luajtur brenda objektit, në kohën kur ai është shembur.

    Vendi ku ndodhi tragjedia.
    Vendi ku ndodhi tragjedia.

    Për vdekjen e tyre tregon se familjarët kanë mësuar 4-5 orë pas incidentit. Atë moment thotë se nuk mund ta përshkruajë dot me fjalë.

    “Shumë rëndë, shumë, jo vetëm për ne familjarët, por për gjithë katundin, e për gjithë Kosovën”, thotë Berati mes lotësh.

    Objekti i rrënuar, që u bë vend i kësaj tragjedie, ishte i braktisur që pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999.

    Deri në atë kohë kishte qenë dyqan ushqimor.

    “Askush në fshat nuk ka folur për të. Ka qenë i rrethuar me tela. Ka qenë në rrugë anësore, por nuk ka pasur shumë lëvizje përreth tij”, thotë Bajrush Brahimaj, banor i Jabllanicës.

    Bajrush Brahimaj.
    Bajrush Brahimaj.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se kurrë nuk ka pasur ndonjë paralajmërim nga autoritetet për sigurinë e tij – “i braktisur ka qëndruar me dekada”, ashtu si edhe objekte të tjera në zonë.

    “Fati e deshi që ta pësojnë këta djem të rinj e të kushtojë kaq shumë”, thotë Bajrushi.

    I kujt ishte objekti?

    Komuna e Gjakovës konfirmon se objekti i rrënuar ishte privat dhe i ndërtuar në pronë private.

    “Në këtë moment nuk mund ta dimë me saktësi vitin e ndërtimit, por, sipas informacioneve tona, është i ndërtuar shumë vite para luftës së vitit 1999 dhe ka shërbyer si dyqan. Objekti i njëjtë ka qenë i djegur gjatë luftës”, thuhet në përgjigjën e komunës dhënë Radios Evropa e Lirë.

    Aty po ashtu theksohet se, duke qenë në pronësi private, komuna nuk ka pasur kompetenca të ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me objektin.

    “Rastet kur komuna guxon të ndërhyjë në pronë private, ndodhin vetëm atëherë kur nga pronari legjitim bëhet një kërkesë apo ankesë te komuna”, thuhet në përgjigje dhe shtohet se, sa i përket rastit në fjalë, nuk ka pasur ndonjë kërkesë apo ankesë të tillë.

    Prokuroria e Shtetit tha shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë se, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.

    Bajrushi thotë, po ashtu, se trupat e pajetë të tre djemve janë gjetur disa orë pas shembjes së objektit.

    Me rënien e territ, ai thotë se familjarët kanë nisur të kontaktojnë njëri-tjetrin dhe fqinjët e tjerë në fshat, për të pyetur nëse i kanë parë djemtë.

    Disa fëmijë duke shikuar në vendin ku humbën jetën tre të miturit.
    Disa fëmijë duke shikuar në vendin ku humbën jetën tre të miturit.

    Një shok i tyre ka treguar, sipas tij, se ka marrë një mesazh në telefon nga tre shokët, të cilët i kanë treguar se ku janë dhe e kanë ftuar të shkojë edhe atë, por ai nuk ka shkuar.

    “… dhe kur familjarët e kanë parë objektin e rrëzuar, i kanë thirrur fëmijët në telefon dhe telefonat u kanë cingëruar nën këmbë”, rrëfen Bajrushi.

    Mbetjet e objektit të shembur që shkaktoi tragjedinë.
    Mbetjet e objektit të shembur që shkaktoi tragjedinë.

    Me të dëgjuar për rastin, Bajrushi thotë se ka marrë traktorin e tij dhe është nisur drejt vendit të ngjarjes, për të ndihmuar sadopak policinë e zjarrfikësit që t’i largonin gurët e rënë.

    “Dy prej djemve duket se kanë qenë në lëvizje… kanë bërë përpjekje për t’u larguar, kurse tjetri ka qenë më poshtë, i shtrirë për tokë. Duket se objekti është shembur shumë-shumë shpejt”, thotë Bajrushi.

    Të tria viktimat u varrosën ditën e hënë në varrezat e fshatit Jabllanicë.

    Njerëz të mbledhur për funeralin e tre të miturve që humbën jetën nga shembja e një objekti të vjetër të pabanuar.
    Njerëz të mbledhur për funeralin e tre të miturve që humbën jetën nga shembja e një objekti të vjetër të pabanuar.

    Ideali dhe Rama kishin qenë edhe nxënës të Jeton Mrasorit, i cili në shkollën e fshatit kishte dhënë Gjeografi.

    Jeton Mrasori, drejtor i shkollës së fshatit.
    Jeton Mrasori, drejtor i shkollës së fshatit.

    Tani drejtor i kësaj shkolle, Mrasori thotë se të dy ata, pos që ishin nxënës të shkëlqyeshëm, ishin edhe shumë të hareshëm dhe të dhënë pas teknologjisë.

    “Të dy kanë qenë në një klasë e në një bankë. Në asnjë moment nuk janë ndarë prej njëri-tjetrit… as edhe në vdekje”, përfundon Mrasori. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark