Përkundër se kanë kaluar 24 vite nga masakra në familjen Jashari dhe vrasja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe rreth 3 vite, nuk është ngritur asnjë aktakuzë ndaj atyre që shkaktuan këtë krim, shkruan Gazeta Insajderi.
Në familjen e Shaban Jasharit, në Prekaz, u vranë dhe u masakruan 55 anëtarë të familjes, në mesin e së cilëve kishte gra dhe fëmijë. Për këto krime, Prokuroria Speciale e Kosovës është duke zhvilluar hetim që nga viti 2021.
Ende asnjë aktakuzë. Ndonëse janë intervistuar shumë dëshmitarë e siguruar prova material të nevojshme, por pa rezultat.
Nga Prokuroria flasin për Gazetën Insajderi. Në përgjigjen e tyre konfirmohet Prokuroria Speciale ka intervistuar dëshmitar të shumtë dhe ka grumbulluar prova të rëndësishme që qojnë në zbardhjen e një nga krimet më të rënda gjatë luftës në Kosovë.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), është duke hetuar rastin e vrasjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjarëve të tij gjatë luftës në Kosovë. Gjatë hetimit janë intervistuar dëshmitarë të shumtë dhe janë siguruar provat materiale të nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Për shkak të procedurës hetimore, ata thonë se nuk mund të japin më shumë detaje se deri ku ka arritur hetimi.
Por, Insajderi ka mësuar se ekziston një dëshmitar në Serbi i cili ka marrë pjesë në rastin e familjes Jashari dhe i njejti ka shpjeguar në detaje ngjarjen.
Avokati Kujtim Kërveshi i cili ka mbrojtur viktimat e luftës ka thënë se ky dëshmitar duhet të jetë në dëshmitë e siguruar nga Prokuroria Speciale.
“Ne kemi njohuri se ne Republikën e Serbisë ka një dëshmitar i cili ka marre pjese ne rastin e familjes Jasharaj, i njëjti ka shpjeguar publikisht ne detaje ngjarjen dhe shpresoj se prokuroria jone speciale tashme ishte dashur ta këtë atë deklarim ne publik te siguruar dhe te transkriptuar për nevoja te hetimit dhe ushtrimit te aktakuzës”, tha ai në një prononcim për Gazetën Insajderi.
Ekzistojnë edhe një sër fotografi e dokumentarë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së familjes Jashari.
“Po ashtu, disa fotografi janë publike nga rasti Jasharaj, përgjegjësia është lehtësisht e evidentueshme ne rastin ne fjale meqë lehtësisht mund te gjendet se kush ka qene përgjegjës për ndërmarrjen e aksionit ndaj familjes Jasharaj, çfarë mjete janë shfrytëzuar, çfarë dhune është përdorur, a ka qene kjo force e ushtruar ndaj Familjes Jasharaj proporcionale. Per rastin e familjes Jasharaj janë nje mori dokumentesh dhe provash publike. Natyrisht se kërkohet nje doze pasioni profesional dhe aktivizmi te shtuar për te ndjekur kryesit dhe per te siguruar dëshmi. Ne nuk kemi njohuri nëse këto tashme i disponon prokuroria speciale dhe ku ka arritur me hetimin ne fjale”, ka thënë Kërveshi.
Prokuroria siguron prova të rëndësishme për vrasjen e familjes Jashari
Ndër të intervistuarit është edhe e mbijetuara e vetme e masakrës së Jasharëve, Besarta Jashari.
Besarta Jashari, bija e Hamëz Jasharit ka qenë ndër personat e parë që është intervistuar nga Prokuroria Speciale.
Ajo e kishte konfirmuar vet këtë për portalin Arbresh.info se është intervistuar një herë nga dy policë.
“Jam intervistuar nga dy policë, kanë ardh tek puna dhe më kanë intervistuar. Nuk më kanë pyet në detaje. Është dashtë më herët të merren institucionet me këtë rast, por prap më mirë është tani se kurrë”, tha Besarta Jashari.
Por e mbijetuara e këtij krimi nuk pret rezultate nga këto hetime.
“Po pres që të dënohen kriminelët serbë që kryen krime. Nuk pres shumë nga këto hetime sepse që sa vite deri tash është dashtë dikush të dënohet”, u shpreh Jashari.
Specialja Speciale kërkoi material inkriminues për vrasjet në familjen Jashari
Prokuroria Speciale kishte kërkuar material inkriminues nga Prokuroria e Serbisë për vrasjen e Adem Jasharit dhe familjes së tij.
Në mars të vitit 1998, pas një rezistence disa ditore në Prekaz, ishte vrarë komandanti Adem Jashari dhe familja e tij rreth 60 anëtarëshe. Sulmi i Njësisë Speciale të Serbisë̈ mbi familjen Jashari në Prekaz edhe nga Amnesty International ishte konsideruar se qëllim kishte vrasjen mizore të Adem e Hamëz Jasharit dhe familjes së tyre.
Njëjtë sikurse shumë masakra të tjera, edhe maskra mbi familjen Jashari në Prekaz ishte kryer nga forcat e rregullta policore, ku edhe pas 21 viteve ende nuk është ndëshkuar askush, përkundër që dihen me emra dhe mbiemra i tërë zinxhiri komandues, që nga polici ekzekutues deri tek presidenti famekeq, Sllobodan Millosheviq.
Për këto vrasje barbare, drejtësia ndërkombëtare asnjëherë nuk bëri përpjekje që të vendoste drejtësi dhe t’i gjykonte kriminelët serbë. Por, më 11 qershor 2015, ajo bëri krejtësisht të kundërtën.
Në mesin e mijëra dokumenteve ekskluzive të Gjykatës Speciale që dolën në publik ishte edhe një letër, ku prokurori udhëheqës David Shëendiman kishte kërkuar dokumente në Serbi për Adem Jasharin nga Vladimir Vukcevic, ish-prokuror për krime lufte.
Në letrën e tij, prokurori Shëendiman thotë se duke u nisur nga koordinimi i vazhdueshëm dhe nga takimi i mbajtur më 1 qershor 2015, Prokurorisë së Serbisë për Krime Lufte i kërkon furnizim me kopje të rasteve që kanë të bëjnë me terrorizëm nga grupet e organizuara të armatosura të kryera nga shqiptarët e Kosovës në periudhën 1981-1999, duke përmendur edhe emrin e Adem Jasharit, i cili bashkë me familjen e tij 60 anëtarëshe ishte vrarë çnjerëzisht në shtëpinë e tyre ,pikërisht nga forcat serbe 17 vite para se ai të kërkonte material inkriminues për të.
“Për më shumë, me mirësi ju kërkojmë nëse është e mundur që dokumentet e para duhet të jenë në lidhje me rastin KT nr. 139/96, gjykimi K nr. 37/97 gjykuar nga Gjykata e Distriktit të Prishtinës ndaj personave në vijim: Besim Rama, Idriz Asllani, Adem Jashari, Jakup Nura, Fadil Kadriu, Nuredin Lushtaku, Sahit Jashari, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Rexhep Selimi etj”, thuhet në këtë dokument të hetuesve të Gjykatës Speciale raporton RTK.
Shteti i Serbisë i ka kryer mbi 400 masakra çnjerëzore mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Mizorisht i ka vrarë rreth 13 mijë civilë të pafajshëm, ku rreth 1300 prej tyre ishin fëmijë. Forcat policore dhe ushtarake të Serbisë i kanë dhunuar mbi 20 mijë gra shqiptare dhe mbi një milion shqiptarë i kanë dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre. Në përpjekje për spastrim etnik, ato i kanë djegur dhe shkatërruar edhe shumicën e pronave shqiptare.
Kërkesat e drejtësisë ndërkombëtare për hetimin e viktimave të vrara mizorisht nga regjimi i Serbisë, për të cilat asnjëherë nuk mori mundin të vendoste drejtësi, janë fyerje dhe padrejtësi e shumëfishtë ndaj vetë viktimave, familjeve të tyre dhe popullit shqiptar.