×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Hetimi për Radojçiqin | Qeveria i kundërpërgjigjet ambasadorit amerikan: As Serbia nuk pranoi që të bashkëpunonte për Banjskën

    Insajderi
    14 August 2024 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier ka thënë se Serbia i ka bërë kërkesë zyrtare Kosovë për ndihmë juridike për krye-terroristin, Milan Radojçiqin. Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë përmes Gazetës Insajderi i është kundërpërgjigjur Hovenierit, duke thënë se as Serbia nuk ka pranuar që të bashkëpunojë për sulmin në Banjskë. Për më tepër, thonë se kërkesa e Serbisë, është në kundërshtim me ligjin.

    Një ditë më parë, ambasadori amerikan deklaroi se do të shpresonte që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjej kërkesës së Serbisë për ndihmë juridike reciproke, për rastin e sulmit terrorist në Banjskë.

    Për këtë Gazeta Insajderi ka kontaktuar Ministrinë e Drejtësisë, për të kuptuar më saktë se çfarë kërkese kishte parashtruar Serbia në rastin e Radojçiqit.

    Të njëjtit theksuan se sipas ligjit vetëm Kosova ka të drejtë ta hetojë dhe gjykojë rastin e Radojçiqit dhe se kjo kërkesë e Serbisë bie ndesh me ligjin.

    “Kërkesa e Serbisë është në kundërshtim me nenin 85, paragrafi 1, nënparagrafët 1.2 dhe 1.3 të ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale. Po ashtu sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion të hetojnë dhe gjykojnë çështjet që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.

    Megjithatë, ministria që po udhëhiqet nga Albulena Haxhiu ka konfirmuar se përmes Prokurorisë Speciale kërkuan ndihmë të ndërsjellë juridike në Serbi; pra që të grumbulloheshin provat.

    Por kjo kërkesë hasin në vesh të shurdhër.

    “Pas sulmit terrorist serb në Banjskë, duke u bazuar në atë se terroristet ishin trajnuar në Serbi, kishin planifikuar sulmin nga Serbia ishin armatosur atje, kishin ardhur nga Serbia, pas sulmit ishin arratisur në Serbi, udhëheqësi i grupit terrorist e kishte pranuar publikisht se qëndron prapa këtij sulmi, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, kishte parashtruar kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike në Serbi, përmes të cilës kishte kërkuar grumbullimin e provave”.

    Si rrjedhojë, Ministria e Drejtësisë thotë se tash e 10 muaj Serbia s’i ka dhënë përgjigje kërkesës së tyre.

    “Kërkesa është përcjellë më datë 5 tetor 2023, përmes kanaleve të theksuara në piken 3 të marrëveshjes dypalëshe në fuqi mirëpo pavarësisht kërkesës, Serbia asnjëherë nuk është përgjigjur në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës të dërguar në vitin 2023”.

    Sipas Ministrisë së Drejtësisë Serbia duhet t’i përgjigjet kërkesave për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës.

    Shtojnë se duhet të bëhet një hetim ndërkombëtarë në raport me bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve.

    Çka tha ambasadori amerikan?

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë, duke thënë se janë në pritje që të gjithë të përfshirët të japin përgjegjësi.

    Ai madje u shpreh se Serbia i ka bërë kërkesë zyrtare Kosovës për ndihmë juridike për Radoiçiqin.

    “Kjo vazhdon të jetë pjesë e bisedës sonë dhe shpresojmë ta shohim të ndodhë së shpejti. Dëshiroj të vë në pah se sipas mendimit tim, Kosova mund të ndihmojë për këtë”.

    “Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare”.

    “Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, tha Hovenier për Radio Evropa e Lirë.

    Theksojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, nga sulmi i armatosur i grupit që po udhëhiqej nga Milan Radoiçiq në Banjskë, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Lexo edhe:

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark