×
  • Lajme
  • Insajderi

    Hib Petrol e Fer Petrol të përfshirë edhe në një proces tjetër gjyqësor – Si keqpëdoreshin paratë e AKP-së përmes faturave fiktive?

    Insajderi
    30 May 2022 - 16:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy kompanitë e derivateve “Hib Petrol” dhe “Fer Petrol”, janë duke u përballur me drejtësinë pasi që dyshohet se kanë lëshuar fatura fiktive, te dy shofer të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilët pastaj faturat se gjoja ishin furnizuar me derivate të naftës nga “HIB Petrol”, nga nënkontraktori i saj “Fer Petrol” i kanë dërguar në AKP. Ndaj dy ish-punonjësve të kompanive të derivateve është paralajmëruar se do të lëshohen urdhër për sjellje me detyrim në gjykim.

    Në muajin mars të këtij viti ndaj kompanive të derivateve Hib Petrol dhe Fer Petrol ishte zhvilluar një aksion i madh i Doganës së Kosovës, pasi që dyshoheshin sei ishin shmangur tatimit ndaj shtetit.

    Por këto dy kompani kanë probleme me ligjin edhe për një rast tjetër. Atë të lëshimit të faturave fiktive për shoferë të një institucioni shtetërorë, atë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

    Rasrt tashmë është duke u gjykuar nga drejtësia kosovare.

    Në mungesë të të akuzuarve Abdurrahim Avdyli, Petrit Gjoka dhe Nexhat Gjoka, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në rastin e rigjykimit për keqpërdorime me faturat gjatë furnizimit me derivate. Për të akuzuarit Petrit Xhoka dhe Abdurrahim Avdyli, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

    Në këtë rast, ish-vozitësit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Abdurrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, akuzohen se si vozitës në AKP, kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke prezantuar fatura fiktive se gjoja ishin furnizuar me derivate të naftës nga “HIB Petrol”, nga nënkontraktori i saj “Fer Petrol”.

    Kurse, ish-punonjësit të kompanisë “Fer Petrol”, Petrit Gjoka e Nexhat Gjoka, akuzohen se si shitës në kompaninë “Fer Petrol”, ua kishin mundësuar të akuzuarve lëshimin e këtyre faturave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me mungesën e të akuzuarit Nexhat Xhoka, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi deklaroi se sot është njoftuar përmes një telefonate nga i akuzuari Petrit Xhoka, se i akuzuari Nexhat është i sëmurë.

    Gjykatësi Foniqi tha se i akuzuari Petrit Xhoka ka premtuar se në fillim të seancës së sotme ka pasur të sjellë dokumentacionin mjekësor, por i njëjti nuk është paraqitur.

    Ndërkaq, lidhur me mungesën e të akuzuarit Avdyli, gjykatësi Foniqi tha se sot tek dera e zyrës së tij është paraqitur mbrojtësi i të njëjtit, avokati Asdren Hoxha, i cili ka thënë se është njoftuar nga i akuzuari Petrit Xhoka se i akuzuari Nexhat Xhoka nuk mund të vijë në seancë për arsyet si më lart.

    Gjykatësi shtoi se e ka informuar avokatin Hoxha se duhet të paraqitet në seancë, pasi që nuk i mbron të akuzuarit Xhoka, por i njëjti nuk është paraqitur.

    Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua më 6 korrik 2022.

    Për sigurimin e prezencës së të akuzuarve Petrit Xhoka dhe Abdurrahim Avdyli, gjykatësi Foniqi tha se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim, ndërsa sa i përket të akuzuarit Nexhat Xhoka, gjykata do të vlerësojë mënyrën e sigurimit të pranisë së tij në procedurë pasi të marrë dokumentacionin mjekësor nga i njëjti.

    Ndryshe, në seancën e sotme nuk ishte prezent as eksperti financiar Mentor Prekazi, për të cilin gjykatësi Foniqi tha se i njëjti është njoftuar përmes telefonit që mos të vijë pasi që nuk ka kushte për seancë.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 prill 2017, të akuzuarit Abdurrahim Avdyli, Petrit dhe Nexhat Gjoka, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “Keqpërdorim i besimit”, dhe secilit veç e veç, u kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

    Ndërsa, të akuzuarit Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza.

    Por, më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 28 korrik 2017, pas ankesave të të akuzuarve, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

    Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte i paqëndrueshëm, i pakuptueshëm dhe i mangët dhe se nuk ishte kryer ekspertiza financiare, nga e cila do të konstatohej dëmi i shkaktuar AKP-së.

    Në gjykimin e kaluar, prokurori Ilaz Beqiri kishte rikualifikuar veprën penale nga keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, në keqpërdorim të besimit, mirëpo në këtë rigjykim për shkak të anulimit të aktgjykimit nga ana e Apelit, tashmë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

    Të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Nebih Murtezi, Mexhid Morina dhe Skender Gajtani, për të cilët prokurori në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj tyre, pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor sipas tij, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale.

    Sipas akuzës së përpiluar më 8 prill 2015, nga data e pacaktuar deri në përfundim të vitit 2013, Amir Demolli, në cilësinë e ushtruesit të detyrës të mbikëqyrësit të transportit dhe vozitës, Abdurrahim Avdyli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, vozitës në AKP dhe anëtarë të komisionit për verifikimin e faturave për furnizimin me derivate të automjeteve zyrtare të AKP-së, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

    Këtë, sipas aktit akuzues e ka bërë në atë mënyrë që duke siguruar e më pastaj duke prezantuar fatura fiktive se gjoja është furnizuar me derivate të naftës nga kompania e derivateve të naftës “Hib Petrol” dhe nënkontraktori i saj “Fer Petrol”, veturat zyrtare të AKP-së, komisionit, anëtar të të cilit kanë qenë të pandehurit në mënyrë rotative, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së rreth 7 mijë e 659 euro.

    Tutje, thuhet se i pandehuri Abdurrahim Avdyli, në periudhën kohore janar-mars 2014, në zyrat e AKP-së në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, si vozitës në AKP, zyra qendrore në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në mënyrë të kundërligjshme ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që më parë është furnizuar e pastaj në mënyrë të rrejshme ka prezantuar faturat e komisionit, me të cilat gjoja se ka furnizuar me derivate të naftës automjete zyrtare, me ç ’rast ka dëmtuar buxhetin e AKP-së rreth 2 mijë e 800 euro.

    Në këtë aktakuzë, thuhet se nga data e pacaktuar deri në mars 2014, në pikat e shitjes të “Hib Petrol” dhe nënkontraktorit të saj “Fer Petrol”, të pandehurit Petrit Gjoka, në cilësi të menaxherit, ndërsa Nebih Murtezi, Nexhat Gjoka, Mexhid Morina, në cilësinë e shitësve në pikat e “Fer Petrol”, në Komoran dhe Drenas dhe Skender Gajtani, shitës në “Hib Petrol”, me qëllim që tjetrit t’i mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke iu lëshuar fatura fiktive të pandehurve, Rrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së në shumë prej 10 mijë e 459 euro.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark