Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill në përfundim të mandatit të tij atje, ka dhënë një intervistë ku mes tjerash, ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas “N1”, Hill gjatë kësaj interviste në “RTS” ka fajësuar kryesisht Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar në dialogun mes dy vendeve.
Ai citohet të ketë thënë se është shumë i zhgënjyer me situatën në Kosovë dhe se Qeveria e saj është kryesisht përgjegjëse për mungesën e progresit në dialog.
“Kosova supozohej të bënte disa gjëra, shembull të mbronte njerëzit, duke përfshitë ata që janë serbë. Më duhet të them, jam shumë i zhgënjyer me atë se sa larg kemi ardhur në Kosovë. Është shumë e qartë që është një situatë jo e kënaqëshme” – ka thënë ai.
Hill citohet të ketë shtuar se shpreson që të ketë një “përpjekje më të madhe” në dialog, duke theksuar se Bashkimi Evropian është duke “u munduar shumë” dhe se ka “sfidë të konsiderueshme” përpara.
“Mendoj se shumë prej nesh jemi shumë të zhgënjyer me mungesën e progresit në dialogun e Brukselit. Dhe shumë arsye për këtë dështim, sipas mendimit tim, janë në anën e Qeverisë së Kosovës. Neve na takon që ta mbështesim Evropën dhe të shohim nëse mund të bëhet progrss. Por, nuk jam i kënaqur me atë që është arritur” – ka shtuar ai.