“Dua të jem tejet i qartë kur them se dialogu i Brukselit ka të bëjë me problemet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Qëllimi i dialogut nuk është zgjidhja e çështjeve tjera, çështjen e pakicave [pakicës shqiptare] këtu ose në ndonjë pjesë të vendit”. Kështu ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, gjatë vizitës së tij ku u pyet për çështjen e pakicës shqiptare në Luginës e Preshevës dhe përfshirjen e tyre në dialogun Kosovë-Serbi, shkruan Insajderi.
Çështja e pakicës shqiptare në Serbi “është çështje ekskluzivisht e shtetit të Serbisë”, tha ambasadori dhe shtoi se “nuk ka të bëjë asgjë me dialogun e Brukselit”. Christopher Hill thotë se ShBA e mbështet dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur, një pjesë e rëndësishme e të cilës është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. “Kjo marrëveshje e arritur nuk ka për qëllim të kalojë kufijtë në ndonjë mënyrë”, siç e citoi një portal lokal i Bujanocit.
I pyetur nga gazetarët për letrën e kongresmenëve amerikanë, të cilët pas takimit me politikanët shqiptarë nga Bujanoci, Mevdegja dhe Presheva, i kërkuan Sekretarit të Shtetit Amerikan Anthony Blinken që të formojnë një komunitet të komunave shqiptare, ambasadori tha se respekton atë që thonë kongresmenët, por që një Asociacion i tillë nuk është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.
Kujtjojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës njërin nga gjashtë kushtet e tij për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e kishte artikuluar në baza të reciprocitetit për të drejtat e pakicave, si për serbët e Kosovës ashtu edhe për shqiptarët në Serbi. Megjithatë, një kusht i tillë nuk i mbijetoi kohës as 2 muaj dhe pranoi Asociacionin pa reciprocitet për pakicën shqiptare./Insajderi/