Eurovisioni mund ta sqarojë me qindra herë përse flamuri i Kosovës dhe ai i ISIS-it janë në një listë, duke thënë se arsyet janë të ndryshme, por nuk ka version që mund ta sqarojë faktin se si festival evropian ka perceptime të njëjta për flamujt e shteteve dhe atyre të organizatave terroriste.
Kosova dhe vendet tjera sikur Baskët në Spanjë kanë të drejtë të ndihen të fyer pse flamuri i tyre është i ndaluar në një festival që promovon në mënyrë krejtësisht patetike dhe me muzikë kitch , tolerancën dhe bashkëjetesën e lumtur në Evropë.
Sepse flamuri i Kosovës e as ndonjë shteti tjetër prezantojnë popuj që kanë vendosur të krijojnë bashkërisht një shtet që bazohet në sakrificë dhe viktima të dhunës, ndërsa flamuri i ISIS nuk prezanton asgjë tjetër përpos një grupacioni të njerëzve qëllimi i të cilëve është krijimi i një shteti bazuar në vrasjen e të gjithëve që nuk i pranojnë rregullat e tyre.
Pra nuk është njëjtë sikur flamuri i Kosovës që prezanton nëse asgjë tjetër një popull ose një vend ku synohet krijimi i një shteti që nëse vjedh “ta pret dorën” ose që beson në shkatërrimin e gjithçkaje tjetër.
Madje shteti Islamik që tentojnë ta shtrijë “Kalifatin” e ndalon muzikën.
Eurovisioni që është pjesë e EBU-së një rrjet evropian i televizioneve kombëtare duke funksionuar në rregulla të cilave ju bindet pa i shikuar rrethanat vendos të fus në një listë flamuj të shteteve që janë njohur nga 111 shtete të tjera dhe një flamur të një organizate terroriste.
Nëse ka qenë e nevojshme që flamuri i ISIS-it të futet në një listë, atëherë ajo listë nuk do të duhej të ishte e flamujve shtetëror. Në atë listë për shembull mund të futet edhe flamuri i nazistëve ose ndonjë grupi që përfaqëson të njëjtën ideologji: vrasjen dhe shkatërrimin. E jo shtetin.
Por çka është shqetësuese në krejt këtë situatë është fakti që Kosova dhe shumë vende të tjera e shohin si problem faktin që Eurovisioni nuk i pranon si shtete.
Përpos këtij skandali të bërë nga Eurovisioni, ekziston edhe një arsye tashmë e diskutuar pse ky festival nuk e meriton energjinë e as një institucioni e as debatin publik.
Ka të bëjë me cilësinë e prodhimeve muzikore dhe rregullave të garës. Për cilësi e kanë argumentuar qindra këngë komerciale të cilat nuk është se janë respektuar nga asnjë kritik.
Ndërsa për garën është parë sesi Eurovisioni jo që tentojë të bashkojë Evropën përmes muzikës, por vetëm sa vë në pah dhe i fryn zjarrit të urrejtjeve ndër racore dhe shtetërore në Evropë.
Votimet e shteteve për shtete e vërtetojnë këtë. Për shembull shqiptarët me celularë të vendeve të ndryshme në Evropë votojnë vetëm për këngën e Shqipërisë edhe pse mund ta urrejnë. U pëlqen tepër kënga për shembull e Rumanisë, por Rumania nuk i jep kurrë pikë maksimale Shqipërisë sado që mund t’i pëlqej kënga./Insajderi.com