Hapjes së Urës së Ibrit – përkundër që s’u hap- iu kishte dhënë një publicitet i paparë nga Qeveria Kurti. Ata madje kishin lëshuar edhe njoftim për media për datën dhe kohën kur do të testohej ura, e cila s’kishte marrë paraprakisht pëlqimin e ndërkombëtarëve që të hapej për qarkullim.
Ndonëse pa ndonjë procedurë publike tenderuese, ura vjet testohej nga kamionët e rëndë të “Bagerit”, pronari i së cilës është Bujar Shabani. Shabani njihet për miqësi me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Përkundër kësaj, ura nuk u hap, raporton Insajderi.
LEXO EDHE:
Në testimin e Urës së Ibrit ishin prezentë disa ministra të kabinetit qeveritar të Kurtit.
Shabani i “Bageri Company” ka fituar kontrata të majme përgjatë qeverisjes aktuale. Një nga to ka qenë edhe një lot për autostradën Prishtinë-Podujevë.
Lidhur me testimin e Urës së Ibrit, qeveria kishte njoftuar edhe për raport fillestar të testimit të urës.
Durmishi, kishte thënë se, sipas një raporti fillestar, ura mbi lumin Ibër në veri është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.
“Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, kishte shkruar Durmishi në ‘Facebook’.
Testimi i Urës së Ibrit i kishte kushtuar buxhetit përreth 10 mijë euro.
Megjithatë, Ura e Ibrit s’u hap për qarkullim. Kjo, për shkak të presionit të ndërkombëtarëve që çështja e Urës së Ibrit të diskutohej ndërmjet palëve përmes dialogut.
Rëndësi aq të madhe për testim s’iu është dhënë Urës së Ibrit. Ajo është lëshuar pa u testuar fare në prag festash. Sipas një raportimi të mediumit Kallxo.com, kompania përgjegjëse për testimin e Urës së Ibrit s’e ka testuar urën fare, përkundër që është paraparë në aneks kontratë.
Zëvendësministri i Infrastrukturës në një prononcim për mediumin e ka quajtur “procedurë formale” testimin, meqë sipas tij, ura është stabile.
Gazeta Insajderi ka qëndruar sot tek Ura e Badovcit, ku ka parë se në vazhdimësi kanë lëvizur automjete, përkundër mos-testimit të saj. Insajderi ka kontaktuar pronarin e firmës “DRENI INGINERING”, por i njëjti ka refuzuar të japë sqarime shtesë për këtë.
Insajderi ka provuar të kontaktojë për këtë çështje edhe me Hysen Durmishin, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
Në bazë të aneks kontratës, operatori ekonomik paguhej gjashtë mijë euro shtesë për testimin e urës së Badovcit.
Ndërtimi i urës 40-metërshe u zvarrit për një vit. Durmishi kishte thënë se punimet janë zvarritur si pasojë e nivelit të lartë të ujit të liqenit të Badovcit. /Insajderi.org/