Për vite në Kosovë, Agjencia e Regjistrimit Civil ishte keqpërdorur nga disa punonjës të saj ku me identitete të rreme kosovare përfunduan madje edhe dilerë droge në kërkim nga INTERPOL. Një identitet në Kosovë po e kërkonte edhe Ahmet Yalçin, i dënuar në Turqi, por që u arratis nga burgu dhe po arsyetohet se iku nga torturat pasi që është me nacionalitet kurd. Nisja e procedurës për të marrë identitet në Kosovë e ekspozoi atë para organeve të rendit në vend.
Gazeta Isajderi
Pesë vite më parë Gazeta Insajderi pati publikuar hulumtimin disa mujor për përfshirjen e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme në një aferë të madhe ku rezultoi se me pasaporta kosovare, identitet të falsifikuar, qenë pajisur edhe dilerë druge nga Turqia.
Hulumtimi kishte zbuluar se persona të rëndësishëm të botës së krimit nga Turqia, përmes lidhjeve me zyrtarë brenda MPB-së patën arritur që pos marrjes së shtetësisë, të kenë pasaporta, letërnjoftime e patentë shoferë të Republikës së Kosovës, ani se ishin në kërkim ndërkombëtar për vrasje, e trafikim ndërkombëtar të kokainës, heroinës e drogave tjera.
U zbulua se dy trafikantë droge, Nejdet Cesuroglu, dhe Iskander Sale kishin arritur që të kenë madje nga dy identitete në Kosovë: Turku i gjetur i vdekur në Prishtinë, Nejdet Cesuroglu ka pasur identitetin e Lavdim Nimanit që jeton në Suedi dhe Ljuljzim Shalja, që jeton në Britani të Madhe, ndërsa Iskender Sale ka pasur identitetin e Xhemaj Shalës dhe Skender Sheremetit.
Një rast i vonë i janarit të këtij viti kishte nxjerr në publik edhe një herë brishtësinë e sistemit qendror të dokumenteve (ARC) dhe kjo u kuptua kur ish-punonjësi i shtetit, Drilon Berbati ra në pranga të policisë së Serbisë i dyshuar për 32 pako me marihuanë apo gati 18 kilogramë.
Ai doli që të kishte pasur aktakuzë në Kosovë po për falsifikim dokumentesh.
Me 19 korrik 2023, Policia e Kosovës kishte arrestuar Drilon Berbatin nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në periudhën sa ishte në pozitën e ‘zyrtarit të Agjencisë për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme’.
Ish-zyrtari i MPB dyshohet se kishte pajisur me dokumente personale, letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës një person nga Shqipëria i cili ishte në kërkim nga INTERPOL-i.
Lexo raportimin e Insajderit: Kush është Drilon Berbati, ish-zyrtari i MPB’së me aktakuzë
Më 6 qershor të këtij viti, siç ka raportuar Gazeta Insajderi u arrestua një tjetër shtetas turk, i deklaruar vet me nacionalitet kurd, i cili tash po kërkohet nga Republika e Turqisë.
Ahmet Yalçin gjendet në paraburgim, në pritje të ekstradimit.
Si ra në radar të Prokurorisë kurdi Ahmet Yalçin?
Gazeta Insajderi merr vesh që pas arratisjes nga burgu, Ahmet Yalçin për një kohë kishte jetuar në vendet e regjionit, por vendosi që të lëvizte për të jetuar në Kosovë.
Në Kosovë ai qëndroi një kohë në një hotel, por duke u informuar për të kaluarën, ku edhe dilerë droge në kërkim nga INTERPL kishin arritur që të merrnin identitet të rremë në Kosovë, ai kishte rënë në kontakt me persona që dyshohet se i premtuan që do të ia bënin këtë të mundur.
Krejt identifikimi i tij, se ai gjendej në Kosovë derisa në Turqi ka një dënim, erdhi kur ai nisi procedurat për të marrë identitet në Kosovë.
Me futjen e të dhënave të para në sistem, siç merr vesh Insajderi, ishte alarmuar që ndaj tij rëndojnë vendime gjyqi e një fletë-arrest pas arratisjes nga Turqia.
Më pas Policia kishte identifikuar vendndodhjen e tij dhe ai u arrestua.
Siç raporton Insajderi, Ahmet Yalçin më 6 qershor të këtij viti është kapur në territorin e Kosovës.
Ai po kërkohej nga INTERPOL-i pasi që ishte arratisur nga burgjet e Turqisë. Ai është i dënuar me 20 vite, 40 muaj e 40 ditë burgim nga gjykatat turke.
Ndaj tij është mbajtur seanca gjyqësore, për të cilin është caktuar masa e paraburgimit. Gjykata ka përmendur mundësinë e ekstradimit të tij në Turqi, gjë që e ka kundërshtuar rreptësishtë mbrojtja e Yalçin.
Mbrojtja pretendon që arsyeja e arratisjes ishin torturat që iu bëheshin në burgjet e Turqisë, dhe krejt kjo për shkak të përkatësisë etnike të Yalçin, që është deklaruar si kurd.
Madje, ky i fundit po kërkon azil politik në Kosovë.
Lexo raportimin e Insajderit: Turqia i kërkon Kosovës ekstradimin e një kurdi që iku nga torturat, ai kërkon azil politik