Shkruan Halil Matoshi
Ata dhetë shpirtna që s’u kthyen dje nga udhët, i vajton sot Atdheu.
Kosova në Zi kombëtare!
Atdheu i shqiptarëve âsht gjuha shqipe.
Siç âsht për çdo shkrimtar gjuha në të cilën shkruen.
Porse për shqiptarët gjuha shqipe rëndom âsht e mbytun n’lot.
Gjuha e vajtimit.
Kânga epike “Kush i pari bâni more djalë kurbeti… “ duhet me pas lind krahas Odisesë së Homerit.
Mallkim dhe kângë e k’putun në gjysëm!?
Vajtimi duhet të jetë ritual antik i ballkanasve që nga drama eskiliane deri te Iliada, kur Priami qau për trupin e Hektorit, qëkur Ajkuna qau Omerin, Leka Skënderbeun, Avdinë e motra në Vraninë, Nasim Elshanin nâna më 1990, për me mbrri në ditët tona.
Ryvije Elshani (që vdiq në tetorin e vitit 2020), kishte kthyer sytë e botës nga Kosova përmes një fotografie ku shihej tek vajtonte vëllain e saj të vrarë nga serbët, Nasimi Elshanin.
Fotografia e saj e zânun nga syni dhe aparati i Georges Mérillon nê 29 janarin e vitit 1990 paraqet imazhin e trishtimit të përmasave të tragjedive antike.
Groteskën e trishtimit!?
Koncepti i mërgimit në gjuhë, njihet që nga Pesoa e James Joyce-it, e deri tek Danilo Kishi. Dhe nga Mate Matevski e Abdullah Sidran;
Ky âsht tregimi për njerëzit që kanë shkue në nji botë ma të drejtë, mas nji cope buke dhe që, s’kanë mujtë me u kthye kurrë!?
Ata dhetë kanë mërgu në gjuhën e vajtimit, sepse përjetësisht do të jenë në rrugën e kthimit: P’ej shpie!?
2.
Fshatna të tana po zhduken, e shkollave po u eper dryni. Sikur shkollës së Tygjecit ku më 1977 kam mbaru filloren, sepse njerëzit dëshpërimisht kërkojnë një jetë më të mirë dhe më të drejtë.
Ngarendjën me u kthy n’Atdhe për pushimet e verës, âsht e vështirë për me e kuptu në Perëndim.
Ashtu siç na zor e kuptojmë traumën e ikjës së miliona njerëzve të dëshpëruar për të ardhur në Evropë nga Afganistani, Afrika e Veriut, Siria, Iraku ose Irani.
Mbi 800 mijë kosovarë llogaritet të jenë jasht Kosove.
3.
Historia na qiti udhëve të botës!
Udha e kthimit seç na vrau …
Netve pa hânë tue kapërcy alpet n’kâmë për ma shumë shpresë, koha u ngatrru dhe u ndal;
Tue u ecun brigjeve t’liqeneve e tue u ra me not detnave, për me kalue andej ku jeta na afronte ma shumë buzëqeshje;
4.
Tue shku me tren për Gjermani, si më 30 gusht, 1974 në Zagreb;
Atje humbën jetën 166 njerëz nga Ballkani, p’ej tyne dheta kosovarë.
41 viktima nuk janë identifiku kurrë.
5.
Tue kapërcy malet, lumejt e prrojt, si në Tisa në nandor 2009, për me ble andrrat tona. Atje humbën jetën 11 shqiptarë të Kosovës, ndër ta edhe Florian Ademin, mosha e të cilit me saktësi është 11 muajsh!?
6.
Tue udhëtu me autobusë, si në Cyrih, më 16 dhjetor 2018, ku humbën jetën dy kosovarë që punon atje për një copë bukë e ma shumë kundësi me i rritë fëmijtë!?
7.
Në një aksident trafiku në Gjermani, midis Meersburg dhe Uhldingen-Mühlhofen (Bodenseekreis) më 16 tetor 2020 humbën jetën tre qytetarë kosovarë e nji u lëndu rand. Ata jetojshin në Zvicër dhe u aksidentyen tue u kthye nga Kosova.
8.
Tue u kthye n’Atdhe, si mjesin e djeshëm në Slavonski Brod me 25 korrik, 2021.
Ata dhetë që s’u kthyen dje nga udhët, i vajton sot Atdheu.
Kosova në Zi kombëtare!
9.
Na bijt e kurbetit që kurrë shpirtin rahat s’e bâmë, tue u rropatun me e përmbush idealin e kthimit n’Itakën tonë shéjte, Kosovën që na jep dashtuni dhe shumë dhimtë e vrragë shpirti!
Uliksi i Joyce-it kurrë nuk kthehet në Itakën e tij. Ai mërgon në gjuhë.
10.
Leopold Bloom është protagonisti dhe heroi imagjinar i romanit Uliksi të James Joyce, shkru më 1922, që kurrë nuk kthehet në shtëpi.
Ai migron në gjuhë.
I gjithë veprimi i Bloom/Uliksit zhvillohet në dhe përreth Dublinit në një ditë të vetme (16 qershor 1904). Tre personazhet qendrorë – Stephen Dedalus (heroi i Portretit të mëparshëm të Artistit si Joyce i Joyce); Leopold Bloom, një puntor reklamues hebre; dhe gruaja e tij, Molly – synojnë të jenë homologë modernë të Telemakut, përkatësisht Uliksit (Odiseut) dhe Penelopës, dhe ngjarjet e romanit paralelisht paralajmërojnë ngjarjet kryesore në udhëtimin e Odisesë në shtëpi pas Luftës së Trojës.
Ata dhetë kurrë nuk kthehen në Atdhe.
Jetojnë në nji udhëtim të përjetshëm, të përvajshëm!
Ata janë malli jonë i pashuem.
E nuk kanë me shkue mâ.
Kemi me i vorrosë njerëzit tanë n’dheun e ksaj toke që aq shumë e deshtën.
Lamtumirë, miqtë e mi.
Në fund të dramës ua mësova edhe emnat!
Shekujt do t’ju gjejnë në kangët elegjiake të kurbetit, e ju do të jeni përjetësisht në udhën e kthimit…
P.S.
Jam me familjet e viktimave, me shpirt e mendje dhe lutem bashkë me ta!
Zot, na jep forcë!
Mos na raftë me harrue!
Lutem me familjet e t’lënduemve, që ata të çohen shpejt n’kâmë e të kthehen në sh’pi!
Amen!