Për historianin Jahja Drançolli, janë absurde deklaratat e deputetit të Kosovës Adem Salihaj se ka “zbuluar” një popull me prejardhje ilire në hapësirat e Afganistanit që sipas tij quhet ‘Kalash’.
Drançolli në një bisedë për Insajderin tha se me këto deklarata Salihaj i ka kaluar kompetencat e tij, pasi thotë ai se deputeti nuk është profesionist i fushës së historisë dhe ka tentuar të flasë për diçka të largët por të provuar nga studiues.
“Është gjë absurd të kërkohet fis ilir në Afganistan, është diçka e pa imagjinuar nga historianët e mirëfilltë. Kjo mund të jetë pjellë e një njeriut që mendon që dinë çdo gjë edhe përzihet në punë të huaja”, tha ai.
Drançollit tha se kufiri etnik i Ilirëve gjendet në Ballkan edhe në Italinë Jugore, kështu që sipas tij kishte me qenë absurd me kërku Ilir jashtë Ballkanit dhe Italisë.
Adem Salihaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte thirrur një konferencë për media në të cilën u mendua se do të flitej për vrasjet e pasluftës. Por përmes saj, Salihaj kumtoji lajmin për fisin ilir që kishte identifikuar përmes një video të një martese të dy të rinjve. sipas së cilit fisi “Kalash’ kishte ngjashmëri në veshje dhe fjalë të fisit ilir.
Ai duke rikujtuar një pjesë të historisë tha se në Afganistan kishin shkuar 6 mijë ushtarë në kohën e Aleksandrit të Madh dhe se një numër i tyre nuk ishin kthyer por ishin martuar me gra nga ky vend.
Për historianin Drançolli këto nuk janë fakte që mund të dëshmojnë deklarimet e deputetit. Ai thotë se në ngjarjet historike që përmenden nga koha e Aleksandrit të Madh dhe për fushatat e tij në Azi e Afrike ishin rekrutuar ushtarë në baza vullnetare individuale dhe asesi si fise.
“Kishte me qenë absurd që një fis i tërë të shkoj në atë pjesë në Afganistan qysh mendon Salihaj se paska ndodhur. Se kjo kohë e Aleksandrit flet për një shpërngulje gjithandej Mesdheut dhe Afrikë, por asesi me fise por shperngulje individuale, ushtarake etj”, tha Drançolli.
Ndërkaq sa i përket fjalëve “Besa-besë”, që Salihu pretendon se qifti i dhanë njëri tjetrit, Drançolli thotë se kjo mund të jetë rastësi, pasi në botë mund të ngjajnë fjalët me gjuhën shqipe.
“Gjuha Indoevropiane është përdorë nga India deri në Britani, Suedi, Norvegji pra në gjithë mesdheun edhe mund të rastisin fjalë të ndryshme, këto janë gjëra që mund të rastisin në arealin indo evropian. Edhe këto dy tri fjalë që i përmend mund të jenë të rastësishme”, tha ai.
Drançolli i quan të rrezikshme deklarata e Salihut, i cili sipas tij nuk merret me problemet e votuesve të tij por me gjëra që si takojnë.
“Këto janë të kota edhe për historianët sepse aty duhet institucione të tëra të të angazhohen për t`i zgjidhur problematikat e tilla as Oksforti as Harvardi nuk ka mund t`i del ballë këtyre cështjeve që janë shumë të koklavitura edhe për historianët”.
“Këto deklarata dhe veprime janë të dëmshme dhe rrezikshme”, përfundon intervistën me Insajderin Drançolli. /Insajderi.com