Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar nisjen e fluturimit të parë direkt ndërmjet Prishtinës dhe Amsterdamit, një mundësi e re për qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë dy herë në javë drejt Holandës.
Fluturimi u përurua nga kompania menaxhuese LIMAK, duke shënuar një hap të rëndësishëm në ndërtimin e lidhjeve të reja ndërkombëtare.
Drejtori i Operimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Levent Kaylaj, shprehu gëzimin e tij për këtë risi dhe theksoi se linja Prishtinë-Amsterdam është një zhvillim me rëndësi për forcimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Holandës.
“Ky është fluturimi ynë i parë direkt nga Prishtina në Amsterdam. Ne jemi shumë të lumtur që po e hapim një portë të re, dhe po planifikojmë të zgjerohemi. Kjo është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Holandës. Jemi shumë të lumtur që po hapim fluturime direkte dhe do të kemi dy fluturime në javë, të hënën dhe të enjten”, tha drejtori.
Lajmit për linjën direkt nga Prishtina në Amsterdam dhe anasjelltas iu gëzua edhe ambasadorja, Karin Boven.
“Jam shumë e lumtur që sot po realizojmë fluturimin direkt nga Prishtina në Schiphol, mes Kosovës dhe Holandës. Është një arritje e madhe kështu që i përgëzojë të gjithë ata që kanë punuar në “prapaskenë”, tha ajo.
Loja Shpërblyese e Aeroportit për Udhëtarët
Për të festuar këtë linjë të re, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka organizuar një lojë shpërblyese për udhëtarët, ku një pasagjer me fat do të fitojë një biletë 1+1 për udhëtimin Prishtinë-Amsterdam.
Për t’u bërë pjesë e lojës, udhëtarët duhet të ndjekin faqen zyrtare të aeroportit në Instagram (@airportpristina), të bëjnë tag një mik apo mikeshë që dëshirojnë t’i kenë me vete, dhe të sigurojnë që edhe personi i taguar ndjek faqen.
Fituesi do të përzgjidhet me datën 8 nëntor.