Qeveria e Holandës ka njoftuar se “nuk e mirëpret” zëvendëskryeministrin e Turqisë, Tugrul Turkes, i cili pritet të marrë pjesë në një aktivitet që do të organizohet në qytetin Apeldoorn të Holandës nga Uniteti i Demokratëve Evropianë Turq (UETD) me rastin e përvjetorit të 15 korrikut, ditës së tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi vitin e kaluar, zmbrapsja e të cilit shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit.
“Tentativa për grusht shteti është një sulm i padrejtë ndaj shtetit turk, por kur merren parasysh gjendja aktuale dhe marrëdhëniet mes dy shteteve, ne nuk e mirëpresim ardhjen e Turkesit apo ndonjë ministri tjetër në vend”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Holandës.
Sipas deklaratës, shkak i këtij vendimi janë ngjarjet që ndodhën mes dy vendeve në muajin mars. “Qëllimi ynë është që marrëdhëniet me Turqinë t’i kthehen normales. Për këtë, ne jemi të gatshëm të bisedojmë me zyrtarët turq”, thuhet më tej në njoftim, raporton AA.
Në njoftim po ashtu thuhet se aktiviteti i organizuar nga UETD nuk do të ndalohet.
Ndryshe, në mars të këtij viti, Holanda pengoi që ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavusoglu dhe ministrja e Politikave Sociale dhe Familjes Fatma Betul Sayan Kaya të takoheshin me shtetasit turq në Holandë në kuadër të fushatës para referendumit për ndryshime kushtetuese në Turqi që u mbajt më 16 prill.