×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoti: Emërimi i anëtarit në bordin e Trustit pa pëlqimin e BSPK-së është i papranueshëm, Qeveria po mbyll dialogun social

    Insajderi
    25 August 2024 - 14:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësim për emërimin e një anëtari të bordit të Trustit Pensional pa pëlqimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

    Ai e konsideron këtë veprim si të papranueshëm, duke theksuar se përzgjedhja e një personi që nuk plotëson kriteret ligjore është një shkelje e rëndë.

    Hoti i ka ftuar të gjitha sindikatat që të bashkohen për të parandaluar këtë shkelje.

    “Është e papranueshme që në zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Trustit Pensional, i cili përfaqëson punëtorët, të anashkalohet BSPK-ja dhe të përzgjidhet një person që, sipas evidencës së ofruar nga BSPK-ja, nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë përfaqësues i punëtorëve. Unë i ftoj të gjitha sindikatat të bashkohen për të parandaluar këtë shkelje,” tha Hoti.

    Ai ka shtuar se kjo sjellje e qeverisë nuk është e re dhe se gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social dhe janë përdorur të gjitha mjetet për të luftuar sindikatat.

    Hoti theksoi se Këshilli Ekonomik-Social është paralizuar, pagesat simbolike të anëtarësisë në sindikata janë përgjysmuar dhe sindikalistët që kanë kundërshtuar qeverinë janë linçuar nga zyrtarë dhe militantë të partisë në pushtet.

    “Këta që thonë se po fuqizojnë sindikatat në sektorin privat, në fakt po e pengojnë organizimin sindikal në sektorin publik,” përfundoi Hoti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark