Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në facebook ka goditur dhe kritikuar Qeverinë Kurti.
Sipas tij deri tani nuk është përmirësuar asnjë indikator i performancës së ndërmarrjeve publike.
Ai tha se kjo shihet nga të dhënat e Qeverisë të prezantuara në pjesën tekstuale të projekt-buxhetit për vitin 2024.
“Pavarësisht ndaljes së “gjakderdhjes financiare” dhe ndryshimit të menaxhmentit, nuk është përmirësuar asnjë indikator i performancës së ndërmarrjeve publike. Këtë e konfirmojnë të dhënat e Qeverisë të prezantuara në pjesën tekstuale të projekt-buxhetit për vitin 2024. Të hyrat totale, fitimi dhe detyrimet e ndërmarrjeve publike, si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto, kanë mbetur të njëjta. Ndërkaq, asetet dhe ekuiteti i ndërmarrjeve publike kanë rënë”, ka shkruar Hoti.
Hoti thotë se, fatkeqësisht, subvencionet nga buxheti për entitete publike janë katërfishuar krahasuar me vitin 2019, si vit para pandemisë.