Hoti komenton shkuarjen e Kurtit në Bruksel: Veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Ballina 5

    Hoti komenton shkuarjen e Kurtit në Bruksel: Veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin

    Insajderi
    02 May 2023 - 14:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se shkuarja e sotme e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel për të diskutuar për çështjen e asociacionit “është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”.

    Për Hoti, sot është e pakuptueshme sesi qeveria negocion asociacionin pa marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme e me njohje reciproke.

    “Pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”- ka shkruar Hoti në facebook.

    Tutje Hoti është shprehur skeptik për epilogun e takimit të sotëm në mes të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Pavarësisht kësaj, dyshoj se ka mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet në mënyrë eksplicite se statuti i asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria”- ka theksuar ai.

    Sot në Bruksel pritet të mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrit Albin Kurti presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell së bashku me emisarin special për dialog, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët.

    Takimi i përbashkët do të fillojë nga ora 18:00.

    Në njoftim bëhet e ditur se palët pritet të miratojnë deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës.

    Pika e dytë e rendit të ditës pritet të jetë diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit, i cili është përpiluar nga ekipi menaxhues.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark