Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Qeverinë për Projektligjin e ri për sigurime shëndetësore, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të mbuluar dështimet e saj në këtë sektor gjatë katër viteve të fundit.
Hoti thotë se projektligji është në thelb një kopje e ligjit ekzistues që nga viti 2014. Ai thekson se, pas krahasimit nen për nen me ligjin në fuqi, rezulton se shumica e neneve janë pothuajse identike. Disa nene janë riorganizuar dhe zgjeruar, por nuk sjellin ndonjë ndryshim thelbësor. Shkalla e kontributit mbetet e njëjtë, me 3.5% nga punëdhënësi dhe 3.5% nga punëtori.
Deputeti i LDK-së ka listuar disa mangësi të sistemit shëndetësor, përfshirë:
1. Nuk janë funksionalizuar sigurimet shëndetësore,
2. Nuk është funksionalizuar sistemi informatik shëndetësor,
3. Është bërë kaos me listën e barnave esenciale,
4. Furnizimi me barna është joefikas,
5. Emigrimi i mjekëve dhe stafit ndihmës mjekësor është 50% më i lartë se para vitit 2021 ,
6. Buxheti për shëndetësi është larg nivelit të kërkuar me standarde evropiane, ku Kosova shpenzon vetëm 3.5% të PBB-së në shëndetësi, krahasuar me 6% të PBB-së sa janë standardet evropiane,
7. Investimet kapitale janë tepër të ulëta për të arritur modernizimin e institucioneve shëndetësore.
Hoti kërkon që Qeveria të marrë masa të menjëhershme për të adresuar këto probleme dhe të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për sistemin shëndetësor në Kosovë.