×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Hoti: Problemi me librat pamundëson nisjen e rregullt të mësimit

    Insajderi
    01 September 2023 - 09:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar të enjten pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë mbi 6 milionë euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1 deri 5 e mbi 6 të tjera për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1 deri 9.

    Hoti ka thënë se miliona euro më shumë janë shpenzuar nga buxheti për blerjen e teksteve dhe materialeve tjera mësimore, gjë që sipas tij, ka ndodhur për shkak të neglizhencës dhe paaftësisë, ndërsa ka shprehur shqetësimin se viti i ri shkollor mund të mos fillojë më 1 shtator.

    “Është viti i dytë me radhë që mësimi nuk fillon me rregull. Vitin e kaluar qeveria ishte në luftë me sindikatat dhe u humbën shumë javë mësim. Këtë vit problemi me librat do të pamundësoj nisjen e rregullt të mësimit”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës në llogarinë e tij.

    Dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur vetëm pak ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) janë munduar ta arsyetojnë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

    “Shtëpitë botuese do të marrin nga libraritë, apo shitësit me pakicë, shumën e njëjtë të buxhetit sikurse që ofertuan në tenderin e qeverisë, ndoshta edhe më shumë. Por, librat do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro më shtrenjtë pasi tani duhet paguar edhe marzhën e shitësve me pakicë të librave”, ka thënë Hoti.

    MASHT-i ka pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “e-Kosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadësh të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

    Të premten e javës së kaluar është hapur aplikimi për rimburësimin e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore të 227 mijë e 984 nxënësve filloristë, ndërsa, siç ka njoftuar MASHT-i, paratë parashihet t’iu dalin prindërve në xhirollogaritë bankare para 1 shtatorit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark