Ministri i Financave i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se aktiviteti ekonomik vazhdon të ketë rritje si rezultat i politikave fiskale të ndërmarra vitin që shkoi, rritjes së besueshmërisë së investitorëve në tregun vendor dhe përmirësimit të ambientit të jashtëm.
Sipas tij, të hyrat nga Dogana janë rritur me 18 për qind, ndërkaq në ATK me 10 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitin të kaluar. Ai thotë se të dyja së bashku kanë mbledhë 650 milionë euro, që është për 86 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.
“Rrija e të hyrave në kufi ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së sasisë dhe vlerës së importit, vlerësimit më të saktë të bazës tatimore të importeve si dhe luftimit të ekonomisë informale. Ndërkaq rritja e të hyrave në vend reflekton rritjen e aktivitetit ekonomik, pasi të hyrat shtesë janë kryesisht nga tatimi në fitim për korporatat e mëdha”, ka shkruar ministri Hoti në facebook.
Ngecje, sipas Hotit, ka pasur në të hyrat vetanake të komunave dhe nga mospagesa e dividentës që PTK-së duhet të paguajë për Qeverinë si aksionar i saj.
Shpenzimet qeveritare ai thotë se vazhdojnë sipas planit. Për këta gjashtë muaj ai vlerëson se shpenzimet janë rritur për 7 për qind më shumë se vitin e kaluar.
“Rritjen më të madhe e kanë pasur investimet kapitale, të cilat janë rritur për 16 për qind. Rritja ka ardhur edhe si rezultat i pagesës së pensioneve për veteranët e luftës, rritjes së pensioneve për pensionistët kontribut-dhënës dhe rritjes së asistencës sociale nga nëntori i vitit”, ka shkruar më tej ministri Hoti në facebook.
Por Hoti shton se Qeveria ka qenë e kujdesshme në racionalizimin e shpenzimeve. Si rezultat, thotë ai, shpenzimet për mallra dhe shpenzime janë për 3 milionë më të ulëta se planifikimi./Insajderi.com