Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Rexhep Hoti, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme pasi, sipas tij, ato janë duke ndodhur.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se për zgjedhje të reja do të merret shpejt një vendim me partnerët e koalicionit.
Hoti ka bërë me dije se nuk është në interes të PDK-së të vazhdohet qeverisja pa pasur mundësi më të marrë vendime të mëdha e të vështira. Sipas tij, vendi duhet të ecë përpara dhe nuk mund të mbetet peng i askujt.
Duke folur rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, Hoti ka thënë se këtë çështje ka dështuar ta drejtojë partia e kryeministrit Isa Mustafa, qoftë drejt konsensusit, apo qoftë drejt votimit në Kuvend.
Hoti, i cili mban postin e zëvendësministrit të Kulturës në këtë Qeveri, ka thënë se rreth 30 për qind e deputetëve të LDK-së nuk e mbështesin kryeministrin e tyre.
Ai ka thënë se LDK e ka marrë veprimin pro votimit të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi në mënyrë që të zhbllokohet procesi i liberalizimit të vizave. /Insajderi.com