Elvis Hoxha, filozofi i “oborrit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka filluar fushatën kundër zyrtarëve amerikanë që nga dje.
Hoxha kësaj radhe ka shpërndarë një deklaratë të ish-gjyqtarit të EULEX-it, Dean B. Pineles, i cili pretendohet se ka thënë se ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i ka ndihmuar Serbisë dhe Rusisë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Hovenieri i ka dhënë një dorë të mirë Serbisë dhe Rusisë dhe u ka dhuruar atyre një fitore politike që kurrë nuk mund ta arrinin vetë, madje edhe në ëndrrat e tyre më të çmendura”, pretendohet të ketë thënë në deklaratë ish-gjyqtari Pineles, të cilën Hoxha e ka shpërndarë nga një medium fantom ‘Rruga Press’.
Ideologu i Lëvizjes Vetëvendosje mbrëmë sulmoi edhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Hoxha ka përdorur parullën e famshme të Lëvizjes Vetëvendosje “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, e cila jehonte në protestat e këtij subjekti politik për ta kundërshtuar qeverisjen e Hashim Thaçit.
“Kryeministrin e zgjedh një popull. Emisarin e emëron dikush. Një popull nuk i nënshtrohet një emisari”, deklaroi ai. /Insajderi.org/