Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë disa veprime specifike për të ndihmuar në zbutjen e situatës në veri. Sipas tij SHBA-ja është e shqetësuar pasi Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj këtyre kërkesave.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai tha se kërkesa të tilla kanë edhe shtetet tjera ndërkombëtare që janë aleate të Kosovës, dhe shtoi se nuk mund t’i kuptojë institucionet kosovare.
“Gjithashtu, dëshiroj ta vë në pah se nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që po e kërkojnë këtë gjë. Vetëm këtë javë kanë ndodhur disa gjëra mjaft të jashtëzakonshme. Prej të hënës, Kryeministri Kurti është takuar me Sekretarin britanik për Punë të Jashtme, ka biseduar me Sekretarin e Shtetit Blinken, ka biseduar me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka pasur deklarata publike nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, pra në thelb, konfigurimi i institucioneve në të cilat Kosova synon të anëtarësohet dhe që ne do ta mbështesim me gjithë zemër dhe miqtë e Kosovës.
Vendet dhe institucionet që kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po i kërkojnë Kosovës, kësaj qeverie, që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe të zbatojë këtë planin trepikësh të BE-së. Jemi të habitur, e kemi të vështirë të kuptojmë se përse nuk ka përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, ka thënë Hovenier.
Duke mos hyrë në specifika, Hovenier tha se është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdohet kjo rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj nga të gjitha vendet që kanë dhe kanë treguar përgjatë më shumë se një apo dy dekadave përkushtimin tonë për të parë Kosovën duke e marrë vendin e saj në Evropë dhe brenda strukturave evropiane dhe euroatlantike.
“Kjo është fjala që sapo e përdora. Unë jam i habitur, po përpiqem të kuptoj pse. Është rast mjaft unik që një Qeveri e Kosovës të mos i përgjigjet kësaj përbërjeje të aktorëve, që të gjithë i kanë interesat më të mirë të Kosovës në mendje. Po, jam i habitur, i shqetësuar, dua të shmangë një situatë në fund të kësaj letre nga Senati dhe kam sjellë një kopje dhe do ta lexoj një fjali që mendoj se është mjaft e rëndësishme”.