Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier është shprehur mirënjohës ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe zyrtarëve të partive politike për lidershipin dhe angazhimin e tyre konstruktiv në shtyrjen e zgjedhjeve të ardhshme në katër komunat veriore të Kosovës.
Hovenier ka publikuar deklaratën e plotë të Ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e BE-së, të cilët kanë mirëpritur vendimin e sontëm të institucioneve për shtyrjen e zgjedhjeve në veri.
Lexo edhe:
“Vendimi konstruktiv avancon përpjekjet për të ndihmuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, është bërë e ditur në njoftimin e ambasadave të QUINT-it.
Presidentja Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe konsensusit të plotë të dalë nga ky takim, ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.