
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ylli Hoxha, ka thënë se kjo parti përshëndetë pranimin e Kosovës në UEFA por se fokusi i kësaj partie do të jetë bërja e një kombëtareje të vetme mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Të dy ligat duhet të punojnë për një ligë të përbashkët. Ne gjithashtu do të dëshironim dhe do të punojmë që të kemi një përfaqësuese të vetme në futboll dhe jo dy. Por deri në bashkimin kombëtarë kjo nuk mund të arrihet. Se kur do të arrihet kjo është çështje se kur do ta marrim votat e qytetarëve”, ka thënë Hoxha në Klan Kosova.
Ai ka komentuar edhe rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga BE-ja për Kosovën, duke thënë se arsyeja përse ky rekomandim ka ardhur tek tash, qëndron në faktin se BE-ja ka parë seriozitet tek populli i Kosovës për të mos pranuar nënshtrimin.
Hoxha ka thënë se arrestimi i Azem Sylës dhe shkarkimi i kryesuesit të Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë ndikuar pozitivisht në dhënien e këtij rekomandimi, ndërsa lidhur me mundësinë e ndonjë aksioni të VV-së gjatë seancës të së enjtes ku do të flas edhe Frederica Mogherini nga Komisioni Evropian e ka lënë në mister.
“Nuk e di, nuk kam qenë në mbledhje të grupit parlamentar por do të marrim pjesë”, ka thënë Hoxha. /Insajderi.com