Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se paraushtarakët dhe kriminelët serbë nga veriu i Kosovës, janë të përfshirë në planet e atentatit së presidentit malazez, Milo Gjukanoviqit.
Kështu ka deklaruar Hoxhaj në platformën ‘X’, duke thënë se këto ngjarje ndërlidhjen me Beogradin dhe Moskën “që synojnë hegjemoni mbi Malin e Zi”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Paraushtarakët dhe kriminelët serbë nga veriu i Kosovës luajtën një rol vendimtar në tentativën për grusht-shtet në vitin 2016 kundër Presidentit Milo Gjukanoviq dhe tani janë të përfshirë në planet e vrasjes kundër tij. Këto ngjarje janë të ndërlidhura, që përfshijnë Beogradin dhe Moskën, të cilat synojnë hegjemoninë mbi Malin e Zi”, ka shkruar Hoxhaj.
Policia malazeze ka shtuar masat e sigurisë ndaj ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, pas informacioneve se ndaj tij po përgatitet një atentat.
Kjo u bë e ditur më 14 korrik, pasi një ditë më parë disa media në Mal të Zi, të cilat duke u thirrur në burime nga sektori i sigurisë, njoftuan se një grup kriminal nga rajoni po përgatitej të vriste Gjukanoviqin dhe se ish-presidenti i Malit të Zi ishte informuar për këtë nga një anëtar i paidentifikuar i shërbimeve të huaja.
“Policia ka marrë informacionin e duhur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare [ANB]. Theksojmë se besueshmëria e informacionit është ende duke u kontrolluar nga ANB-ja. Menjëherë pas marrjes së informacionit, Policia, Prokuroria dhe ANB-ja morën masa të mëtejshme dhe veprime në juridiksionin e tyre në mënyrë të sinkronizuar”, thuhet në njoftimin e policisë. /Insajderi.org/