Hoxhaj nuk e komenton më qëndrimin e tij për koalicion PDK-VV, pas kundërshtimit nga partia - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoxhaj nuk e komenton më qëndrimin e tij për koalicion PDK-VV, pas kundërshtimit nga partia

    Insajderi
    02 July 2025 - 16:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka refuzuar të komentojë më tej deklaratën e tij për një koalicion të mundshëm mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pas reagimeve të ashpra brenda partisë së tij, shkruan Gazeta Insajderi.

    Hoxhaj, i cili ditë më parë tha se do ta votonte një marrëveshje të tillë, nuk pranoi të flasë për Insajderin, duke u arsyetuar shkurtimisht: “Jam duke udhëtuar”.

    Në një paraqitje televizive në emisionin “Rubikon”, Hoxhaj kishte lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me VV-në, duke thënë se është i gatshëm ta mbështesë një koalicion të tillë, por nuk dha një përgjigje të qartë nëse do ta pranonte Albin Kurtin si kryeministër.

    “Nuk dua të lëshohem në një skenar të tillë – me Kurtin kryeministër apo me Bedri Hamzën? Natyrisht se ne do ta pranonim me çdo kusht që Bedriu të jetë kryeministër, por këto janë tema që do t’i zgjidhim kur të ulemi në tavolinë”, deklaroi ai.

    Deklarata e Hoxhajt shkaktoi pakënaqësi në radhët e partisë, me disa anëtarë të kryesisë që u shprehën kundër idesë së një bashkëpunimi me VV-në.

    Kundërshtimet brenda PDK-së, pasqyrojnë tensionet e kahmotshme ndërmjet dy partive, të cilat janë përshkallëzuar sidomos gjatë fushatës zgjedhore, kur liderë të VV-së përdorën gjuhë fyese ndaj opozitës duke i quajtur “Hajvana”.

    Qëndrimin e Hoxhajt e kundërshtoi Sekretarja e Përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitakun.

    Ajo tha se është e befasuar me qëndrimin e kolegut të tij sepse PDK ka  miratuar një deklaratë politike rreth qëndrimeve të partisë karshi qeverisë e koalicioneve të mundshme.

    Thotë se këtë deklaratë e kishte votuar edhe vetë Hoxhaj, pa ndonjë kundërshtim.

    “Për mua ka qenë pak befasi deklarata e Hoxhajt. Sepse është e vërtetë që shpeshherë edhe në mbledhje dhe diskutime ne kemi vlerësime dhe mendime të ndryshme, mirëpo deklarata e z.Hoxhaj erdhi pak kohë pas mbajtjes së konventës ku ne miratuam një deklaratë politike të PDK-së. Kjo deklaratë ishte shumë e qartë edhe në raport me qeverinë edhe në raport me koalicionet e mundshme dhe ajo deklaratë politike u votua me unanimitet të plotë. Edhe z. Hoxhaj e ka votuar. Si do që të jetë është një qëndrim i ri që nuk i bënë dëm shëndetit politik dhe demokratik. Zoti Hoxhaj ishte i qartë tha se do ta votoja një koalicion nëse do të kishte marrëveshje politike, nuk tha që e voton njëanshëm”, tha Çitaku në Rubikon të Klan Kosovës.

    Kudnërshtim pati edhe nga  deputeti i PDK’së Abelard Tahiri. Ai tha se brenda partisë mund të ketë qëndrime, por se ato mbesin individuale përderisa qëndrim unik i PDK-së është ai i prezantuar nga kryetari i subjektit.

    “Qëndrimin unik të PDK-së e përfaqëson kryetari i PDK-së. Çështjet e tilla janë diskutuar në forumet e PDK-së, pra edhe çështjet e koalicioneve. Ne qëndrojmë prapa asaj që PDK duhet ta krijojë një qeveri që do të udhëhiqet nga kryeministri Bedri Hamza dhe kjo është më e rëndësishme se të gjithë tjerat, të cilën e preferojmë të bëhet me partitë që kemi qenë në opozitë, pra me LDK-në dhe Aleancën”, tha ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark