Tre pacientë kanë humbur jetën brenda sallave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa dyshohet se vdekja e tyre ka ndodhur si pasojë e gazit që u furnizua nga një kompani pa licencë adekuate. Edhe pas shtatë vitesh, rasti ende nuk është zbardhur. Për më tepër, skandali është thelluar pasi mostrat e marra nga viktimat dyshohet se janë dëmtuar. Përfaqësuesi ligjor i një prej viktimave ka ngritur një kallëzim penal, duke dyshuar për neglizhencë nga ana e prokurorisë dhe për fshehje të provave nga zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Edhe pse vdekja e pacientëve mbetet e paqartë, situata bëhet më misterioze me zbulimin se mostrat janë dëmtuar. Në rast të përfshirë kanë qenë individëve të lartë të sistemit të drejtësisë dhe mjekësisë ligjore. Prokuroria është ende duke e hetuar rastin. Gazeta Insajderi sjell detajet.
Donjeta Islami
Nuk ishte kohë pandemie. Bile ndodhi tri vite para pandemisë së shkaktuar nga Covid19. Ishin thjesht tri operacione, në shikim të parë të rëndomta, por që pacientët nuk dolën të gjallë nga salla. Dyshimi? Oksigjeni!
Krejt kjo ndodhi në vitin 2017 kur pas vdekjes së dyshimit të tre pacientëve: Sh.Konushevci, K.Biringjiku dhe A.Zejnullahu nisi një seri ngjarjesh që as tash, në vitin 2025 nuk ka marrë epilog.
Rasti, se a ishte shkaktar oksigjeni a çka tjetër në këto tri vdekje të dyshimta, u dërgua fillimisht për t’u hetuar tek, atëherë Prokurori në Prishtinë, Valdet Gashi, i cili tash është rritur në detyrë e bërë Prokuror Special.
Rastësi, apo më shumë se kaq? Musa Gashi, kushëriri i afërm i këtij prokurori atë kohë udhëhiqte divizion e laboratorëve në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), që mori mostrat e domosdoshme për hetimin në vdekjet e dyshimta të 2017-ës.
Lënda do të kalonte nga dora në dorë. Pas Valdet&Arian Gashit, lënda i kaloi prokurorit Hivzi Bajraktari i cili tash ka dalë në pension.
Ndërkohë, përgjegjës në IML kur ndodhi rasti, të përfshirë, ishin përveç Musa Gashit edhe Flutra Goga-Bajrami, e cila punonte pa licencë si udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, si dhe atëkohë drejtori, Arsim Gërxhaliu.
Sinjalizuesit e Gazetës Insajderi hedhin dyshime se gjithçka ka qenë e koordinuar nga Prokurorisë dhe IML që ky rast të mos zbardhet. Dhe, mbi shtatë vite më vonë rasti ende mbanë shënimin: Hetimet vazhdojnë…
Nga një rast tash janë bërë dy. Një rast hetimi është për të zbuluar se si vdiqën në tavolinën e operacionit tre pacientët dhe një tjetër, pas ngritjes së dyshimeve serioze se bash mostrat e tyre u dëmtuan deri në shkatërrim.
E, vet IML-ja është një institucion që jo rrallë është përfshirë në zhvillime të ngjashme. Edhe në hetime të më hershme janë ngritur dyshime për manipulime, siç ka qenë rasti i vdekjes së Dino Asanajt, ish -kreut të Agjencisë së Privatizimeve, ku u konstatuan dhjetëra plagë e u nxor vendim se ishte vetëvrasje.
E rasti i Astrit Deharit pastaj është dramë në vetë. Në këtë rast edhe mostrat e toksikologjisë humbën për disa muaj për tu deklaruara të gjetura pastaj.
Hulumtimi disa javor i Gazetës Insajderi në misterin e vdekjes së tre pacientëve më 2017, dyshimit/hetimit për dëmtim të mostrave të tyre dhe mos-dhënia e një epilogu në asnjërin hetim ngrit dyshime serioze se nuk mund të flitet më vetëm për gabime të paqëllimshme.
Mbrojtja e viktimës K.Birinxhiku paraqet kallëzim penal për shkatërrimin e mostrave dhe kërkon hetim të thelluar
Me 20 nëntor 2024, avokati i familjes së viktimës K.Birinxhiku, Hysni Veseli, ka folur me Gazetën Insajderi.
Ai ka treguar, dhe ndarë me Insajderin edhe një një kallëzim penal, me të cilin është duke kërkuar që Prokuroria të hetojnë rastin e shkatërrimit të mostrave dhe të ndërmarrin një hetim të thelluar për zbardhjen e ngjarjes.
Ai ka ngritur shqetësimin se rasti mund të parashkruhet për shkak të neglizhencës nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Aktualisht rasti i ka rënë që ta hetoi Prokurori Armend Hamiti, i cili që të parandaloi vjetërsimin e lëndës ka nxjerr vendim për pezullimin e hetimit.
Sipas Veselit, prokurorët Valdet Gashi dhe Hivzi Bajraktari, të cilët kanë pasur përgjegjësinë për këtë rast, nuk kanë bërë asnjë përparim në hetime për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Avokati pretendon se rasti është bërë akoma më shqetësues për shkak të manipulimeve me mostrat, të cilat janë dyshuar të jenë dëmtuar dhe fshehur.
“Pjesë e kësaj fatkeqësie ishte edhe familjarja, nëna e gruas time nga Qubreli i Skenderajt e ndjera K.Birinxhiku. E ndjera K. Birinxhiku, pas varrosjes, ishte zhvarrosur me urdhër të Prokurorit të rastit Valdet Gashi, por për të bërë autopsinë pas lind dyshimi se kishte fjalë për një skandal në QKUK, të përdorimit të një gazi ilegalisht të prodhuar që përdoret gjatë operacionit të quajtur Gas-i OKSIDUL. Rasti rrezikon të parashkruhet për shkak të neglizhencës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Prokurori përgjegjës pas largimit të Valdet Gashit, ka qenë Hivzi Bajraktari deri në pensionimin e tij i cili pothuajse nuk ka bërë asnjë përparim do me thënë për të zbardhur të vërtetën e rastit”, thuhet në kallëzimin penal drejtuar prokurorive.
Ai gjithashtu ka kritikuar prokurorët për arsyetimin e vazhdueshëm për mungesën e mundësive për të transportuar mostrat jashtë vendit dhe për vështirësitë e tjera teknike që janë përdorur si justifikim.
“Arsyetimi ka qenë gjithmonë i njëjtë zor me i çu boca dhe mostrat jashtë vendi s’e s’po kemi me çka me i dërgu s’po i merr asnjë kompani me i transportu, s’po kemi çanta speciale me i transportu mostrat etj”.
Avokati Veseli ka pasur disa takime me prokurorin Hivzi Bajraktari dhe me prokurorin Armend Hamiti, por dyshohet se ata kanë pasur një sjellje që tregon se diçka është fshehur lidhur me këtë rast.
“Si përfaqësues i familjes Birinxhiku kam kontaktuar me 10 herë me prokurorin Hivzi Bajraktari dhe pastaj me prokurorin Armend Hamiti. Ata të dy bashkë kanë pasur një mirësi/sjellje e cila lexohej qartë se diçka është duke ndodhur me këtë rast e që nuk është veç thjesht vështirësia/problemi me transportin dhe gjetjen e shtetit ku do të qohen mostrat dhe bocat e gasit ‘oksidul’, por problemi duket që ka degraduar në dëmtimin dhe zhdukjen e mostrave të tri grave të ndjera përfshirë në mesin e tyre edhe të ndjerën K.Birinxhiku”.
Në kallëzim, Veseli pretendon se drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Flutura Goga-Bajrami, e cila punon pa licencë të toksikologjisë, ka qenë e informuar për dëmtimin e mostrave, por ka zgjedhur të mos e raportonte rastin dhe ta fsheh atë në mënyrë të paramenduar.
Ai po ashtu ka dyshime se prokurori Valdet Gashi ka pasur informacion lidhur me dëmtimin e mostrave dhe ka ndihmuar në fshehjen e veprës penale përmes lidhjeve familjare me Musa Gashin, një punonjës të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore e cila punon pa licencë të toksikologjisë në këtë Laborator Flutra Gogaj – Bajrami, ka qenë saktësisht e informuar për gjendjen e mostrave të dëmtuara mirëpo nuk e ka lajmëruar rastin në prokurori dhe në mënyrë të paramenduar e ka fshehur rastin dhe veprën penale. Numri i personave/zyrtarëve të cilët kanë qenë të njoftuar përveç drejtoreshës së Toksikologjisë dhe të 2 teknikëve të IML të cilët i kanë bërë fotografitë dhe raportuar rastin është më i madh dhe kjo rrethana/fakt që mund të vërtetohet përmes një komunikimi të brendshëm të zyrtarëve lidhur me asgjësimin e mostrave komunikim i cili është zhvilluar në mes tyre dhe mund të dokumentohet nga prokuroria përmes e-maileve, zyrtare të cilët ata i kanë zhvilluar këto komunikime”, thuhet në kallëzimin penal.
Ai kërkon që Prokurori i rastit, Armend Hamiti, të rifillojë hetimet për këtë çështje dhe të ndërmarrë veprime të mëtejshme hetimore, duke përfshirë intervistimin e zyrtarëve teknikë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe shqyrtimin e komunikimeve të brendshme që mund të vërtetojnë dëmtimin e mostrave.
Veseli gjithashtu kërkon që të bëhen analiza të mundshme toksikologjike për të verifikuar dëmet në mostrat e gjakut dhe urinës të viktimave të përfshira në këtë rast.
“Të intervistohen 2 punëtorët teknik të Institutit të Mjekësisë Ligjore persona që nga ana e prokurorisë janë të njohur. Për të kuptuar saktësisht se cili është informacioni dhe fotografitë e tyre për rastin të cilin e kanë raportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.
“Të Intervistohet nga Prokurori i rastit Drejtoresha e Toksikologjisë Flutura Gogaj – Bajrami për informacionin që besohet mirë që e ka pasur në rastin në fjalë dhe të jep sqarime pse nuk është raportuar rastin dhe është fshehur vepra penale nga ana e saj dhe përse ka qenë aq e shqetësuar kur policia pas publikimit të rastit në media është interesuar për rolin e saj në këtë rast”
“Prokurori i rastit ne atë kohë ka qenë Valdet Gashi, duhet të konsultohet se cili është informacioni i tije për këtë raste cila është lidhja a e tij me Musa Gashin punëtor në institutin e Mjekësie Ligjor, dhe Çka din Ai për këtë rast sipas burimeve besohet së Prokurori Valdet GASHI, ka pasur informacion dhe ka ndikuar indirekt te Musa Gashi për fshehjen e veprës penale. Të intervistohet Musa Gashi, udhëheqësi i divizionit në Institutin e Mjekësisë ligjore se ka çka cila është njohuria e tij për rrjedhën e rastit në fjalë dhe të hetohet komunikimi i brendshëm në IML-re, dhe telefonatat e tij personal dhe mesazhe si dhe emali i tij privat”
“Të kërkohen komunikimet e brendshme nga IT se çka është komunikuar ndërmjet personave përgjegjës në Institutin e Mjekësisë Ligjore lidhur me Rastin në fjalë kjo provë duhet të merret nga shërbim i IT-se, në Institutin e Mjekëses Ligjore”
“Të angazhohet eksperti i Toksikologjisë TOKSIKOLOG i licencuar na Gjykata i licencuar nga Këshillin gjyqësor i Kosovë -Të hartoj kërkesën se çka duhet të bëj Instituti i Mjekësisë Ligjore NDËRKOMBËTARE për të konstatuar Analizat TOKSIKOLOGJIKE AKTUALE KERKESEN për Institutin e Mjekësisë Ligjore Ndërkombëtare për tu konstatuar se: A ka ndërhyrje në Mostra të gjakut dhe urinës dyshime lidhur me paprekshmërinë e mostrave të gjakut dhe urinës të viktimave”.
“Të Konstatohet se – Cilat analiza duhet të bëhen nga familjaret për të konstatuara prania e saktësisë së mostrave dhe përputhjes me gjakun e familjarëve dhe viktimës K.Biringjiku ADN-ja dhe analiza tjera nëse kërkohen për t’i hequr të gjitha dyshimet”, thuhet në kallëzimin penal.
Si ndodhi rasti?
Më 7 shtator të 2017, tre pacientë, Sh.Konushevci, K.Biringjiku dhe A.Zejnullahu, vdiqën teksa ishin duke iu nënshtruar operacioneve. Vdekja dyshohet se u erdhi nga gazi ‘oksidol’ (N20).
Gaz ky që prodhohej pa licencë adekuate nga kompania “Bubeari Komerc” me pronar Naser Gurin, ndaj të cilit më 2017-ën ishte caktuar edhe masë paraburgimi.
Edhe pse pa licencë, gazin e kishte blerë Qendra Klinike (QKUK) dhe Universitare e Kosovës nga po ky biznes.
“Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata i ka caktuar një muaj paraburgim pronarit të kompanisë ‘Bubeari Comerce”, deklaronte atëkohë prokurori Valdet Gashi
Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga kompania “Bubeari” për të parë se deri ku ka shkuar rasti, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Si përfunduan të dëmtuara mostrat?
Ndërkohë që misteri për vdekjen e tyre po vazhdon tash e mbi 7 vite, trupat e tyre ishin zhvarrosur për të marrë mostrat. Mostra të cilat po dyshohet se u dëmtuan.
Sipas burimeve të Gazetës Insajderi, trupat e tre pacientëve ishin zhvarrosur më 14 shtator 2017, ndërsa më 15 shtator iu krye autopsia.
Ekziston raporti me orë të saktë për mostrat e marra, dhe më pas trupat e pajetë iu kthyen familjarëve.
10 ditë më vonë, më 25 shtator 2017, ndodhi një ngjarje e papritur: mostrat e tre trupave u gjetën të dëmtuara, dhe Insajderi ka arritur t’i sigurojë fotografitë që e dëshmojnë këtë dëmtim.
Dëmtimi i mostrave u zbulua nga teknikët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët kërkuan që këto mostra, të cilat ishin të dëmtuara, të fotografoheshin për të dokumentuar gjendjen e tyre.
Për rastin, burimet kanë zbuluar se ishte vënë në dijeni drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë, Flutra Goga-Bajrami, e cila ende sot punon pa licencë në këtë institucion.
Kishte pasur edhe këmbim letrash për ta alarmuar incidentin, dokumente që i ka parë Gazeta Insajderi.
Pas tri vjetësh, më saktësisht më 2020-ën, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërmori një hetim në zyrat e Institutit për të hetuar gjendjen e mostrave të tre trupave.
Pavarësisht se Goga-Bajrami kishte parë dhe pranuar fotografitë që tregonin dëmtimin e mostrave, ajo dyshohet se u prezantoi zyrtarëve të policisë mostra të tjera, të cilat nuk dihet se prej nga ishin marrë, pasi autopsia ishte kryer vetëm një here, dhe trupat janë varrosur me datë 15 shtator dhe pas 10 dite mostrat ishin dëmtuar (thyer).
Gogaj deklaron se me datë 14.05.2020 policia kishte shkuar për t’i shikuar mostrat dhe çuditërisht ato ishin në gjendje të rregullte.
“… ku u mor materiali i mostrave 10 ditë paso që janë varrosur trupat e viktimave?”, është dilema që burimet e Insajderit kanë shtruar që atë kohë.
Ky qëndrim ka dalë në pah përmes e-maileve që drejtoresha ka shkëmbyer me zyrtarët e IML-së, e-maile që Insajderi ka arritur t’i sigurojë.
Në një prej tyre, Goga-Bajrami e shpjegon se fotografitë ishin bërë me kërkesën e saj, për të dëshmuar se në çfarë gjendje ishin kërkuar të pranohen mostrat, pasi teknikut të sallës së autopsisë i kishte refuzuar t’i pranonte ato.
Ajo shprehej e shqetësuar se për rastin ishin informuar organet e rendit.
Në një tjetër pjesë të e-mailit, Goga-Bajrami shkruan se kërkesa për fotografimin e mostrave është bërë me kërkesën e saj dhe se me datë 25.07.2017, fotografitë ishin dërguar në e-mailin e saj.
Megjithatë, kjo e dhënë është dyshuar, pasi fotografitë ishin bërë nga një zyrtar i IML-së, i cili pastaj kishte raportuar rastin me shkrim tek udhëheqësit e tij.
“Dje më datë 14.05.2020 ditë enjte, në zyrën e Laboratorit të Toksikologjisë ka ardhur një hetues i Njësisë së Krimeve Rajonale të Prishtinës bashkë me Njësinë e Forenzikës me autorizim nga Prokurori i Shtetit, për të hetuar mbi gjendjen e mostrave të tri rasteve më saktësisht të rasteve të vdekjeve të dyshimta me OKSIDUL në QKUK”, ka shkruar ajo në e-mail, përcjell Insajderi.
“Unë sot më datë 15.05.2020, kam shkuar dhe kam dhënë deklaratën time për këtë çështje. Në këtë rast çdo gjë është sqaruar dhe i njëjti hetues më vonë ka ardhur dhe ka bërë edhe disa foto në laborator për ta vërtetuar deklaratën time. Kjo çështje sa i përket anës së hetuesisë dhe Prokurorisë besoj që është sqaruar plotësisht sot, por unë shpreh shqetësimin tim tejet të madh sa i përket rrjedhjes së gjërave këtu brenda IML”.
“Fotot që kanë shkuar tek Prokurori i Shtetit janë dokumente të brendshme të Laboratorit të Toksikologjisë dhe IML-së, të bëra me kërkesën tonë për të dëshmuar se në çfarë gjendje është kërkuar të pranohen atë ditë këto mostra nga tekniku i sallës së autopsisë pasi që ne kemi refuzuar për t’i pranuar ato”, sqarohet tutje në këtë dokument të brendshëm qe e ka Insajderi.
“Për ta arsyetuar kthimin prapa të këtyre mostrave”, thuhet tutje, dhe vazhdon duke sqaruar se ne “kemi kërkuar që të njëjtat të fotografohen që të kemi dëshmi se si kanë kërkuar të pranohen. Por këto fotografi kanë shkuar në Prokurori dhe të njëjtat janë keqinterpretuar me pretekstin se këto mostra janë dëmtuar qëllimisht për të humbur si dëshmi.”, thuhej në e-mailin e Gogës drejtuar zyrtarëve.
Haliti i IML-së mohon që mostrat janë dëmtuar, fotografitë dëshmojnë të kundërtën
Ani pse në foto këto mostra shihen të dëmtuara (të thyera), zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm në Institutin për Mjekësi Ligjore, Ditor Haliti për Insajderin mohoi të këtë pasur mostra të dëmtuara, ai tha se qesja ku ishin të vendosura mostrat ishte përlyer me gjak, dhe se për këtë arsye nuk ishin pranuar në laboratorin e toksikologjisë.
Ai përmendi se autopsia është kryer më 15 shtator 2017 me komision të ekspertëve, përfshirë specialistë të ndryshëm mjeko-ligjorë dhe një grup të gjerë mjekësh të fushave të ndryshme.
“Me urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 15.09.2017 në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) është kryer autopsia e tri rasteve të cilësuara si vdekje e dyshimtë në QKUK nga gazi N2O. Autopsia është kryer me komision prej tre ekspertëve mjeko ligjorë nën kryesimin e Prof Dr Naim Halitit, dhe anetarë Dr Arsim Gerxhaliu dhe Dr Naim Uka. Gjithashtu me kërkesë të kryesuesit në procesin e autopsise (dhe më vonë në konsultime profesionale gjatë hartimit të raportit te autopsisë), kishin marre pjesë edhe një specialist nga anesteziologjia, një kirurg abdominal, një neurokirurg, një urolog, një mikrobiolog, një farmakolog, një biokimist, një radiolog dhe një toksikologe. Gjatë autopsisë ishin prezent edhe Prokurori i Shtetit, dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës (PK). Pas autopsisë, në të njëjtën ditë, rastet janë liruar nga IML dhe janë dorëzuar tek familjet e tyre për ceremoninë e varrimit. Gjatë autopsisë sipas standardit janë marrë edhe mostra indore për analiza të mëtejme (toksikologjike, histopatologjike etj)”
Mostrat indore, ai tha se janë marrë gjatë procesit të autopsisë dhe janë ruajtur në frigorifer për analiza të mëtejshme.
“Për sqarimin tuaj, sipas standardit mostrat indore që merren gjatë autopsisë fillimisht vendosen në frigoriferin afër sallës së autopsisë dhe më vonë me zinxhirin e ruajtjes (pranim-dorëzimit) dorëzohen në laborator. Edhe në këtë rast është zbatuar e njëjta procedurë, nga teknikët e autopsisë mostrat nga salla e autopsisë janë dorëzuar ne laborator. Mirëpo për arsye se qesja ku ishin të vendosura mostrat (epruvetat) ishte e përlyer me gjak, fillimisht si të tilla nuk janë pranuar në laboratorin e toksikologjisë (dhe me këtë rast janë fotografuar në gjendjen se si ishin), por të njëjtat janë pranuar më vonë në qese të pastër sipas standardit dhe në gjendje të rregullt”, thuhet në përgjigjen e tij dhënë Insajderit.
“Rreth 3 vite më vonë”, vazhdon ai, “më 14.05.2020 me autorizim nga Prokurori i Shtetit është zhvilluar një hetim në IML. Hetuesit policor atëkohë kishin kërkuar të shohin gjendjen e këtyre mostrave në laborator, dhe pas prezantimin të mostrave e dokumenteve përcjellëse të këtyre rasteve në detaje, ata kanë kërkuar edhe deklaratë me shkrim nga disa zyrtarë që kane qenë të kyçur në këtë rast. Arsyeja e këtij hetimi ishin disa foto me qesen e përlyer të këtyre mostrave dhe dyshimi për dëmtim të këtyre mostrave”, tha ai për Insajderin.
Haliti ka deklaruar se fotot që janë zhvilluar gjatë pranim-dorëzimit të mostrave indore në laboratorin e toksikologjisë, që kishin pasqyruar qesen e përlyer, sipas tij “janë përdorur qëllimisht për të krijuar dyshime”.
“Si duket fotot e zhvilluara me rastin e pranim dorëzimit të mostrave indore në toksikologji i ka përdorur dikush qëllimisht dhe për shkak të rrjedhjes së këtyre fotove është zhvilluar edhe një hetim i brendshëm në IML për shkelje të mundshme disiplinore duke kërkuar deklarata me shkrim nga secili që ka qenë pjesë e këtij procesi. Mirëpo, kjo nuk kishte rezultuar me ndonjë shkelje disiplinore”, thotë ai.
Ai shtoi se Policia e Kosovës ka hetuar rastin dhe ka konfirmuar se mostrat ishin të padëmtuara dhe në gjendje të rregullt, siç është vërtetuar nga njësiti i forenzikës.
“Me rastin po merrej njëkohësisht edhe Policia e Kosovës, por pas konstatimit se mostrat janë te padëmtuara dhe ne gjendje te rregullt (dëshmuar nga njësiti i forenzikës së Policisë së Kosovës), dhe deklaratave shtesë të pjesëmarrësve në proces, në lidhje me këtë çdo gjë ishte sqaruar. Përfundimisht, sipas urdhëresës, IML është përgjigjur në nivelin maksimal dhe profesional, është bërë autopsia e këtyre rasteve me komision multidisiplinar, janë kryer dhe dorëzuar në prokurori raportet e autopsisë pa vonesë, janë bërë të gjitha analizat e mundshme dhe mostrat indore janë të ruajtura e në gjendje të rregullt. Andaj, me përgjegjësi të lartë morale dhe profesionale deklarojmë se këto mostra nuk janë manipuluar dhe nuk janë dëmtuar, për me tepër kjo është vërtetuar edhe nga Policia”.
Prokuroria: Rasti është duke u hetuar
Edhe pse Haliti insiston që çdo gjë është sqaruar, Gazeta Insajderi ka kërkuar informacion nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për hetimet që po zhvillohen lidhur me rastin ku dyshohet se mostrat e pacientëve janë dëmtuar në IML.
Prokuroria ka konfirmuar se po ndërmerren veprimet e nevojshme për të zbardhur tërësisht rastin, por duke potencuar se janë në faze të hetimeve nuk janë lëshuar në komente.
“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftojmë se, prokurori i shtetit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit, si dhe është duke i ndërmarrë veprimet shtesë me qëllim të përfundimit të hetimeve lidhur me këtë rasti, andaj duke pasur parasysh që vazhdojmë të jemi në fazën e hetimeve, për momentin nuk mund të jepen më shume informata lidhur me këtë çështje penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë që së paku hedh poshtë pohimet që gjithçka është sqaruar, pasi që hetimi ende nuk ka përfunduar.
Varianti i prokurorit Valdet Gashi
Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga prokurori i rastit, Valdet Gashi, për zhvillimet e hetimit, si dhe për pretendimet se ai u tërhoq nga çështja pasi mori vesh se mostrat ishin dëmtuar.
Pavarësisht kërkesave, Gashi nuk dha një përgjigje lidhur me marrëdhënien e tij me Musa Gashin, udhëheqësin e divizionit dhe laboratorit të IML-së.
Gashi e sqaroi se në shtator të vitit 2017, për shkak të kompleksitetit të rastit, ishte caktuar edhe prokurori Arian Gashi.
“Lidhur me pyetjet e juaja për rastin të cilit ju i jeni referuar, ju njoftoj se në shtator të vitit 2017 në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ky rast është caktuar tek unë për hetim, mirëpo për shkak të kompleksitetit dhe ndjeshmërisë se rastit, me sugjerim të Kryeprokurorit të Shtetit në rast është caktuar edhe prokurori Arian Gashi”
Ai shtoi se hetimet e tij ishin zhvilluar për një vit, deri në avancimin e tij në Prokurorinë Speciale në vitin 2018, duke theksuar se nuk mund të shpaloste detaje lidhur me veprimet hetimore pasi çështja mbeti në Prokurorinë Themelore.
“Me këtë rast, nga ana ime, gjatë hetimit në vazhdimësi janë ndërmarrë veprime procedurale hetimore me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike, deri në shtator të vitit 2018 kur jam avancuar në Prokurorinë Speciale. Për faktin se në momentin e avancimit tim në Prokurorinë Speciale rasti ka mbetur në fazën e hetimit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e në mungesë të informacionit se në cilën fazë procedurale gjendet rasti aktualisht, ne referim të nenit 101 paragrafi 5 të Kodit të Procedurës Penale, nuk mund të shpalosë informacione lidhur me veprimet konkrete hetimore që janë ndërmarr nga ana ime derisa e kam trajtuar këtë rast”.
Lidhur me pretendimet për dëmtimin e mostrave, Gashi mohoi të ketë pasur njohuri dhe theksoi se nuk mund të komentonte për këtë çështje.
“Sa i përket pretendimeve lidhur me dyshimet se mostrat e këtij rasti janë dëmtuar në IML, ju informoj se unë nuk kam pas një informacion të tillë, andaj edhe nuk mund të komentoj për këtë çështje”, i ka thënë Insajderit Prokurori Valdet Gashi, tash Prokuror Special.
Prokurori Arian Gashi thotë se u mor me pjesën financiare të hetimit
Pasi prokurori Valdet Gashi konfirmoi se hetimet për vdekjen misterioze të tre pacientëve janë udhëhequr nga ai dhe se ishte përfshirë edhe prokurori Arian Gashi, gazeta kërkoi një përgjigje nga ky i fundit.
Prokurori Arian Gashi konfirmoi se ka kryer hetime lidhur me aspektin financiar të rastit, ndërkohë që hetimet për veprën kryesore janë zhvilluar nga prokurori Valdet Gashi. Ai shtoi se nuk ka informacion mbi statusin aktual të rastit, pasi që nga viti 2021 nuk është pjesë e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me rastin, edhe pse kanë kaluar mbi 7 vite, ju njoftoj se për këtë rast kam zhvilluar hetime preliminare financiare, ndërsa hetimet për veprën kryesore i ka udhëhequr prokurori Valdet Gashi, i cili ka qenë bartës i lëndës derisa ka kaluar në Prokurorinë Speciale. Për pyetjet tuaja, unë nuk kam informacion mbi epilogun e rastit apo veprimet që janë ndërmarrë nga prokurori kompetent, pasi që nga viti 2021 nuk jam në Prokurorinë Themelore në Prishtinë,” tha ai për Insajderin.
Tre pacientë nuk dolën të gjallë nga salla e operimit në vitin 2017. Një hetim nisi për këtë rast, që as në vitin 2025 nuk ka përfunduar.
Në ndërkohë një hetim tjetër nisi nën dyshimin se bash mostrat e këtyre pacientëve ishin dëmtuar.
As ky hetim ende nuk ka përfunduar.
Tre pacientë të vdekur. Mbi shtatë vite hetim. Dhe krejt çka thuhet nga prokurorë të përfshirë në rast është: hetimet vazhdojnë.
Për këtë hulumtim Insajderi ka kërkuar përgjigje dhe ish-drejtori i IML, Arsim Gërxhaliu dhe udhëheqësen e Laboratorit të Toksikologjisë, Flutra Goga-Bajrami, por të dy kanë kërkuar t’i referohemi përgjigjes së zëvendësuesit të drejtorit të përgjithshëm në IML, Ditor Halitit.
Po ashtu, Insajderi ka kërkuar një përgjigje edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke pasur parasysh se IML është nën mbikëqyrjen e kësaj ministrie për rastin, por ajo nuk ka dhënë një përgjigje.
/GazetaInsajderi