Tenderi për renovimin e Stadiumit të Gjilanit është anuluar pak ditë pas hulumtimit të Insajderit lidhur me dyshime korruptive për këtë tender.
Mediumi lokal ‘Radio Star’ në Gjilan ka publikuar vendimin për pezullimin e aktivitetit të prokurimit për rinovimin e stadiumit të Gjilanit, vendim ky i cili mban nënshkrimin e Kujtim Bajramit, zyrtarit përgjegjës të Prokurimit, shkruan Gazeta Insajderi.
Insajderi raportoi se si kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni vendosi që ta shpërblejë me tender për “renovimin e stadiumit të Gjilanit” grupin e operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë, 14 milionë e 997 euro. Deri tek nënshkrimi i këtij tenderi dyshohet se janë kryer një sërë shkeljesh. Duke filluar nga menaxheri i zyrës së prokurimit i cili mundësoi nënshkrimin e këtij tenderi e deri të pronarët e kompanive të përzgjedhura.
“Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, janë grupi i operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë për renovimin e stadiumit të Gjilanit, ndërkohë që në garë ishin edhe dy grupe tjera me oferta më të lira.
Gazeta Insajderi ka mësuar se Kujtim Bajrami, menaxheri i zyrës së prokurimit ishte personi i vetëm që pranoi ta nënshkruajë këtë tender milionësh.
Madje, ishte pikërisht mos certifikimi i tij që ndikoi që përzgjedhja të shtyhet, pra derisa ai u certifikua.
Nga burime të sigurta është mësuar se Kujtim Bajrami është mik i kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.
Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadimut të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”.
Grupi ky me ofertën më të shtrenjtë. Pronarët e këtyre kompanive mësohet se kanë ndërlidhje me njëri-tjetrin.
Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani janë përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”.
Përpos drejtueseve të klubit të Gjilanit përfitues del të jetë edhe Bujar Shabani, miku i Hysen Durmishit të Vetëvendosjes, si dhe firma “AVAG” e cila është në pronësi të punëtorit të firmës tjetër përfituese të tenderit, kompanisë “El-Bau” të Fatlum Pirevës. /Insajderi.org/