Hulumtimi i Insajderit- Arrestohen tre veta që u përfshinë në skandalin e MPB’së – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Hulumtimi i Insajderit- Arrestohen tre veta që u përfshinë në skandalin e MPB’së

    Insajderi
    03 July 2023 - 21:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën dyshimin për pranim ryshfeti dhe keqpërdorim të tenderëve në ministri. Në mesin e të arrestuarve është edhe Agim Sopa. Gazeta Insajderi kishte raportuar shtatë muaj më parë për një tender afro dy milionë euro për ndërtimin objektit Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi, ku doli që kishte shkelje ligjore. Përgjatë ditës së sotme është arrestuar Naim Selmani pronari i operatorit ekonomik “ARBËRI-NS” SH.P.K. që u shpërblye me tenderin në fjalë.

    Insajderi përpara shtatë muajsh raportonte se në fund të nëntorit të vitit të kaluar Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga Xhelal Sveçla kishte hapur një tender që parashikonte t’i shpenzonte me të më shumë se sa 5 milionë euro të kuletës së shtetit. Po planifikonin ndërtimin e objekteve për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi.

    Për më shumë se një vit, ndodhën një sërë zhvillimesh në këtë tender të majmë, derisa në fund mbeti vetëm një lot.

    Më 10 tetor të 2022-ës, MPB-ja bënte me dije se për tenderin: “Ndërtimi i objekteve Administrative – Agjencive për IRK” me afro 2 milionë euro shpërbleu kompaninë “Arbëri –NS” SH.P.K., pronë e biznesmenit Naim Selmani nga Malisheva.

    Katër ditë më vonë, një nga kompanitë në garë i shkruante letër Zyrës së Kryeministrit, e në të cilën letër mbahej i informuar edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ku denoncoheshin shkeljet e ligjit të bëra nga dikasteri i Sveçlës për këtë tender.

    Aty ngriteshin akuza që MPB e Organi Shqyrtues i Prokurimit po funksionojnë bashkë, siç thuhet për të kontrabandar 2 milionë euro të një kompani e papërgjegjshme.

    “Neve kemi dorëzuar ofertën tonë dhe po mundohemi me rruge ligjore të arrijmë deri tek drejtësia për projektin “Ndërtimi i objekteve Administrative – Agjencive për IRK-LOT 3” pasi qe AK-MPB ka rekomanduar me shkelje ligjore OE të papërgjegjshëm pasi që AK ne bashkepunim me OSHP-në po mundohen ti kontrabandojnë kundërligjshëm rreth dy milionë euro, ju njoftojmë se ne nuk do të ndalemi dhe do te iniciojmë procedura penale ndaj grupit te organizuar së bashku OSHP e MPB”, thuhej në letrën e siguruar nga Insajderi.

    Gazeta Insajderi mësoi se tre të arrestuarit e aksionit të policisë për tenderë në MPB janë dy bizesmenët Naim Selmani e Gëzim Hoti, dhe Shefi i Departamentit të Prokurorimit në Adem Sopa.

    Sipas një komunikate për media nga policia thuhet se Sopa gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në MPB, ka marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerjen e projekteve.

    “Të dyshuarit (N.S.) dhe (G.H.) në cilësi të përfaqësueseve të operatorit ekonomik dyshohen për veprën penale të Dhënies se Ryshfetit me qellim të krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e “një objekti të një agjencie” dhe projekteve tjera të zhvilluara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së”, thuhet në njoftim.

    Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se bashkë me ta, PK-ja ka arrestuar edhe një pronar të një kompanie ndërtimi dhe një punëtor të saj.

    “Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar sot aksion në Ministrinë e Punëve Brendshme, saktësisht në Departamentin e Prokurimit. Me këtë rast, janë arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë si dhe pronari së bashku me një punëtor të një kompanie ndërtimi, katër prej të cilëve sipas njoftimit zyrtar të Policisë janë ndaluar për 48 orë”, ka njoftuar Sveçla. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark