×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtimi i Insajderit: Kompania që shkeli ligjin me “Bager”, falsifikoi dokumentet e tenderëve milionësh

    Insajderi
    08 December 2021 - 17:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania “Bageri” dyshohet se kishte falsifikuar dokumentet e dy gjeodetëve duke i paraqitur sikur punëtorë të tyre për të ftuar tenderë nga dy komuna. Kjo kompani i ka keqpërdorur të dhënat e tyre personale, duke krijuar dy kontrata false me emrat e dy gjeodetëve dhe kishte arritur që të fitojë dy tenderë për asfaltim të rrugëve. Një tender në Komunën e Ferizajt me vlerën 2 milionë e 472 mijë euro dhe një në komunën e Vitisë që kapte vlerën e 274 mijë eurove, shkruan Gazeta Insajderi.

    Violeta Aliu, është gjeodetja që kompania “Bageri” dyshohet se i kishte përdorur dokumentet dhe të dhënat e saj personale për të lidhur kontratë pune pa dijeninë e saj.

    Krejt kjo kishte ardhur pasi një nga kriteret në dosjen e tenderit “Zgjerimi i rrugës së fshatin Bibaj, kyqja në autostradë Arbër Xhaferi” ku kishte aplikuar kompania “Bageri”, kërkohej që operatorët ekonomik të kenë një inxhinier të gjeodezisë të licencuar nga Agjencioni Kadastral i Kosovës AKK me licence valide.

    Gjeodetja Aliu kishte mohuar se ka lidhje kontrate me kompaninë ”Bageri”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kështu, kompania “Bageri” duke nënshkruar në emër të gjeodetes Aliu se kinse ka një kontratë valide arrit që ta mashtrojë institucionin e Komunës së Ferizaj, në këtë rast zyrën e Prokurimit Publik.

    Për këtë veprim të kompanisë, Komuna e Ferizajt përkatësisht zyra e Prokurimit në një përgjigje dhënë Gazetës Insajderi ka treguar se kompania “Bageri” është përjashtuar nga tenderit “Zgjerimi i rrugës së fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi”.

    Në përgjigjen e Komunës së Ferizajt, thuhet se përjashtim nga tenderi i kompanisë “Bageri” erdhi pasi gjeodetja Aliu të cilën e kishte prezantuar kjo kompani nuk figuron në listën e gjeodetëve të licencuar.

    “Tek aktiviteti i prokurimit ‘’ Zgjerimi i rrugës së fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’’ operatori ekonomik ‘’Bageri ‘’ është eliminuar për këtë arsyeje :  Gjeodetën të cilën e ka prezentuar znj. Violeta Aliu, pas verifikimit nga ana e komisionit të rivlerësimit në Agjensioninë kadastral të Kosovës është konstatuar se kjo gjeodete  nuk figuron në listën e gjeodetve te licencuar, nga kjo del se OE nuk e ka përmbushur kërkesat sipas dosjes se tenderit , dhe është eliminuar nga gara”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Pokurimit të komunës së Ferizajt dhënë Insajderit.

    Ndërsa, nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në një përgjigje për Insajderi ka thënë se ky rast tashmë është në procedura hetimore.

    “Referuar kërkesës suaj për të dhëna, ju njoftojmë se lidhur me rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe rasti është në procedurë hetimore” thuhet në përgjigjet e Prokurorisë dhënë Insajderit.

    Insajderi ka kontaktuar edhe kompanin “Bageri”, për të pyetur se rreth gjetjeve të organizatës Avonet për falsifikime të dokumenteve të gjeodetës Aliu për të lidhur kontrat.

    Nga kjo kompani i kanë quajtur të pavërteta mohimet e gjeodetës Aliu, ku thotë se nuk ka një kontratë valide, pasi sipas tyre ende ekziston një e tillë

    “Sa i përket kësaj ne ju njoftojmë se së pari nuk është e vërtetë fare që Aliu ka mohuar te këtë nënshkruar kontrate me kompaninë time. Ne posedojmë një kontrate te nënshkruar nga zonja Aliu me date 01.03.2019 e cila është valide deri me 31.12.2019 dhe një Aneks Kontrate te nënshkruar me date 05.03.2019 me te cilën kemi bere disa ndryshime te disa kushteve te kontratës baze. Sikur te mos kishim kontrate me Aliu nuk do na duhej te bëjmë as nuk do mundemi te bëjmë Aneks Kontrate”, thuhet në përgjigjet e kompanisë Bageri dhënë Insajderit.

    I njëjti rast dyshohet se i kishte ndodhur edhe me gjeodetin Blerim Jasharin, shkruan Gazeta Insajderi.

    Atij i ishin falsifikuar dokumentet personale me ç`rast duke u përdorur të dhënat e tij pa autorizimin, kompania “Bageri” dyshohet se kishte bërë kontratë pa dijeninë e tij.

    Duke përdorur këtë kontratë fiktive, “Bageri” ka aplikuar në tenderin e komunës së Vitisë, lidhur me Asfaltimi i rrugëve në fshatin Smire, Kolisht dhe Terpezë në Komunën e Vitisë”.

    Se gjeodeti nuk kishte kontrate valide me kompanin “Bageri” dhe se nuk ishte i informuar se si të dhënat e tij kishin rrjedhur te kjo kompani, kishte konfirmuar vet Jashari në një përgjigje për  Organizata Avonet.

    Gazeta Insajderi, lidhur me këtë çështje ka kontaktua komunën e Vitisë. Nga ky institucion kanë thënë se kanë kërkuar që Organi Shqyrtues i Prokurimit ta fus në listën e zezë kompaninë “Bageri”, pasi kishin konstatuar se ka falsifikuar dokumentet.

    Gjithashtu, nga Zyra e Prokurimin në Viti ka deklaruar se oferta e kompanisw “Bageri” është shpallur e papërgjegjshme.

    “Kjo kompani është shpallur e papërgjegjshme nga ky tenderi, si dhe është dorëzuar kërkesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit për të futur në listën e zezë këtë kompani”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së prokurorimit të Vitisë dhënë Insajderit.

    Por, nga kompania “Bageri” në një përgjigje për Insajderi kanë mohuar se kanë bërë falsifikim të dokumenteve të gjeodetit Jasharit.

    Sipas tyre, kompania Bageri ka marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë Alfa dhe se nga ta ka kërkuar një gjeodetë dhe se nga Alfa është propozuar Jashari.

     “Në këtë raste ne nuk kemi bërë asnjë falsifikim, në posedojmë marrëveshje me Kompanin Alfa-I Shpk për bashkëpunim dhe shfrytëzim të ndërsjellët të dokumentacioneve dhe ingjinjerëve që i posedojmë dhe në këtë raste ne kemi kërkuar nga Kompania Alfa-I shpk që të na mbështesinë me një Gjeodet sipas kërkesës se AK-s dhe se pa hezituar na kane mbështetur dhe na kane dhënë dokumentet e ingjinjerit Blerim Jashari”, thuhet në përgjigjen e Bagerit dhënë Insajderit.

    Të pavërteta nga kjo kompani i kanë quajtur edhe përdorimin e nënshkrimit të Jasharit për kinse të lidhur kontratë.

    “Sa i përket kësaj në pamundësi që Blerim Jashari të gjindet në çdo raste të kërkuar në zyre për nënshkrim të dokumenteve të ndryshme, në posedojmë edhe Autorizimin të cilin Blerim Jashari e ka Autorizuar një nga punëtorët e Administratës të kompanisë Alfa-I shpk që të bëjë nënshkrimin e çfarëdo dokumenti në emrin e tij e personal”, thuhet më tej në përgjigjet e tyre dhënë Insajderi.

    Kompania Bageri dyshohet për falsifikim të dokumentit edhe të një makinerie që kishte futur përmes Doganës së Kosovës

    Kompania “Bageri” me datën 15.04.2021 kishte blerë një makineri për shtrirjen e zhavorrit për bankina të rrugëve nga shitësi “Kupinince” doo, me seli në Vranjë dhe se e kishte futur në Kosovës duke falsifikuar dokumente.

    Sipas gjetjeve të AVonet kjo makineri nuk kishte markë, dhe numër serik të prodhimit pasi ishte e rregulluar me punë dore, por kompania Bageri dyshohet se kishte falsifikuar dokumentet duke e paraqitur me të dhënat valdie për ta futur në Kosovë.

    Në të dhënat e falsifikuar nga kompania në fjalë kjo makineri ishte paraqitur në Doganën e Kosovës, si “ makin, për shtrirjen e zhavorit për bankina të rrugëve e re viti prodhimit: 2021 e re, ngjyra e verdh, nr serik: S 19/500-GH”.

    Gazeta ka pyetur Doganën e Kosovës se çfarë hapash kanë ndërmarr me kompaninë në fjalë rreth dyshimeve për falsifikim të dokumenteve.  

    Nga Dogana kanë thënë se kjo makineri është kthyer dhe se me rastin po merret hetuesia,  përkatësisht Njësiti Hetimor dhe dogana në bashkëpunime Prokurorinë.

    Lidhur me këtë kompani Bageri ka thënë për Insajderin se duke pasur parasysh se kjo makineri është punë dore dhe gjatë prodhimit janë përdorur pjesë montuese të ndonjë mjeti të shkatërruar dhe se këto pjese kanë mundur të futen si pjesë të prodhimin të kësaj makineri e që mund të kenë ndonjë numër.

    “Sqarojmë se makineria në fjalë është Makineri për shtrirje të Zhavorit apo Bankinave, kjo makineri është prodhim me pune dore dhe nuk është e prodhuar ne ndonjë fabrike. Duke pasur parasysh qe kjo makineri është pune dore dhe gjate montimit dhe prodhimit janë përdorur pjese montuese te ndonjë mjeti te shkatërruar, këto pjese kane mundur te përpunohen dhe janë futur ne prodhimin e kesaj makineri e qe ka mundur te ketë ndonjë numër”, thuhet në përgjigjet e Bagerit dhënë Insajderit./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark