×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtimi i Insajderit – Mashtrime e abuzim të punëtorëve – si u futën në listë të zezë familjarët e ministrit Damka?

    Insajderi
    13 May 2022 - 16:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy familjarë të Ministrit për Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, do të përballen me ligjin. Anil dhe Sefçet Damka janë arrestuar të enjten pasi që dyshohen se kanë përfituar jashtëligjshëm vitin e kaluar rreth 100 mijë euro nga tenderët publik. Ata dyshohen se kanë falsifikuar dokumentacionet gjatë kohës kur kishin aplikuar në tendërt. Biznesi i tyre u fut  në listën e zezë të OSHP-së, ndërsa në të kaluarën raportohej se punëtorët e SFK-së mbanin punëtorët pa kontrata.

    Anil dhe Sefçet Damka, familjarët e ministrit të Qeverisë së Kosovës, Fikrim Damka janë të dyshuar për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”. Ata janë ndaluar për 48 orë, ndërkohë që Prokuroria ka kërkuar 30 paraburgim ndaj tyre.

    Biznesmenët familjar të Damkës, kanë përfituar tender të shumtë nga institucionet në Kosovë. Por, sipas policisë gjatë vitit 2021 ata përfituan rreth 100 mijë euro pa i plotësuar kriteret.

    “Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, njofton Policia.

    Gazeta Insajderi, sjell detaje të rastit për të cilin u futën në listën e zezë të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    Në dhjetor të vitit 2020 Gjykata e Tenderëve i diskualifikoi nga tenderët publik kompanitë e familjarëve të Ministrit Damka.

    Ky institucion kishte gjetur se përmes kompanisë “SFK SH.P.K”, biznesmenët Damka, kanë tentuar të mashtroj shtetin. Në ofertën e tyre për tender kanë paraqitur dokumentacione të përziera të dy kompanive të tyre që janë të regjistruara në ARBK.

    Emërtimi i kompanive është i ngjajshëm, dallon vetëm pjesa “Security”. Njëra kompani është e regjistruar në Agjencinë e Bizneseve si “SFK SH.P.K” kurse tjetra “SFK Security Shpk”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “SFK Security” i kishte mbetur borxh Administratës Tatimore të Kosovës rreth 100 mijë euro. Për t`i ikur eleminimit nga garat nëpër tendere publike, këta biznesmen përdornin dokumentacionin e kompanisë së re të regjistruar.  

    Kështu kishin vepruar pikërisht në tenderin për sigurimin fizik në Universitetin “Ukshin Hoti”.

    Organi Shqyrtues i Prokuruimit ka gjetur se biznesmenët Damka kishin aplikuar në tender me SFK SHPK. Në emër të kësaj kompanie kishin dorëzuar, formularin e tenderit, licencën e MPB-së, qarkullimin bankarë dhe disa referenca.

    Kurse dokumentet tjera siç janë certifikata e regjistrimit të biznesit, marrëveshja e bashkëpunimit, sigurimi i tenderit, marrëveshja për trajnime dhe marrëveshja për qira ishin të kompanisë “SFK Security SH.P.K”.

    Pasi konstatoi këto gjetje OSHP-ja ka kërkuar sqarime nga biznesmenët Damka, mirëpo ata nuk iu përgjigjën shtetit. Meqenëse brenda afateve të parapara nuk ishin kthyer përgjigje ky institucion konstaton se operatoi ekonomik ka paraqitur dokumente të rrejshme.

    Paneli shqyrtues kishte konstaton se ndaj operatori ekonomik SFK SH.P.K duhet të merren masa sipas ligjit të prokurimit, për diskualifikim nga pjesmarrja në aktivitete të prokurimit për një periudhë prej tre muajve.

    Kompania që mbante punëtorët pa kontrata

    Kompania e Sigurimit Fizik SFK deri vonë udhëhiqej zyrtarisht nga Fikrim Damka. Punëtorët e saj, në vazhdimësi ishin ankuar se punonin shpesh nga 24 orë për të plotësuar brenda 11 ditësh numrin prej 260 oësh të obliguara për punë në muaj.

    Ankoheshin se paga që merrnin ishte vetëm 150 euro. Por përvec se pagat e ulëta ata ankoheshin se nganjëherë u vonoheshin nga 4-5 muaj ato.

    Në një hulumtim të Gazetës Jeta në Kosovë, të publikuar në vitin 2013, disa punëtor të kompanisë SFK, deklaronin se po bëjnë punë “pa rroga dhe pa kontrata”

    Bedri Haxha, i punësuar në këtë kompani që nga dhjetori i vitit 2010, I kishin larguar punëtorët pa paralajmërim.

    “Unë kam punuar në këtë kompani deri me datën 6 mars 2013, gjatë kësaj kohe plot shtatë muaj pa kontratë. Rrogën e fundit e kam marrë në mars, ndërkohë katër rroga tjera më kanë borxh”, thotë Bedri Haxha.

    Rrëfim të ngjashëm kishte edhe ish-roja tjetër në kompaninë SFK Bajram Bajçinovci,.

    “Unë për nëntë muaj pune i kam marrë vetëm katër paga, se nuk më kanë paguar me rregull. Kur u bë muaji i dytë i 2013-ës kam kërkuar me ngulm që me mu bë kontrata që bile pa kontratë të mos punoj”, shpjegon Bajçinovci.

    Bajçinovci thotë se ka pasur kontratë me kompaninë vetëm nga korriku deri në dhjetor të 2012-ës, ndërsa ka punuar aty nga maji i vitit të kaluar deri në marsin e sivjetëm.

    Pronari i Kompanisë së Sigurimit Fizik SFK, Shefqet Damka thotë se ka disa të vërteta te ato që thonë këta punëtorë, por 70 për qind të fjalëve të tyre i quan gënjeshtra. Ai mohon se pesë të larguarit nuk kanë pasur kontrata.

    “Pa kontratë mund të punojnë vetëm kur janë në fazën provuese. Po kontratën aktive e kanë pas, po nuk ju kemi dhanë në dorë se po e keqpërdorin, po shkojnë po marrin kredia, po thonë qe kemi kontratën dhe ata kurrë nuk po paguajnë kredinë”, thotë Damka.

    Sipas faqes zyrtare të kompanisë SFK, kjo kompani është themeluar më 2008 dhe ofron sigurim fizik, përcjellje VIP dhe transfertë parash.

    Ministri kosovar shoqëri me mafiozin turk

    Ministri i Zhvillimit Rajonal në Qeverinë Kurti, Fikrim Damka, vite më parë duket se ka ngrënë një darkë goxha të bollshme.

    Pije, e plotë ushqim kishte tavolina të cilën ai e ndante me një ndër mafiozin më të famshëm turk të drogës, Sedat Peker.

    Këtë darkë Damka e kishte ngrënë para se të bëhej ministër, ani pse, edhe atëherë ishte udhëheqës i Partisë Demokratike Turke në Kosovë.

    Shoqërimin e tij me Pekerin, nuk e ka treguar ende për opinionin, mirëpo ata shihen mjaft të afërt me njëri tjetrin, gjë kjo, që ka ngre disa pikëpyetje në vend.

    Drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, kërkuar publikisht nga Damka, tu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, se pse para disa viteve e ka takuar Sedat Pekerin.

    “Ky me kravate është Fikrim Damka. Minister i Zhvillimit Rajonal ne Qeverine Kurti. Ky zotëriu tjetër është një prej mafiozeve me te famshëm turk të drogës. Ka disa jave qe z. Damka nuk përgjigjet ne pyetjet e gazetareve se pse para disa viteve e ka takuar Sedat Pekerin, një prej mafiozeve me te famshëm turk. Pse e ka takuar gjate kohës sa ky zotëriu është në arrati dhe se çfarë ka biseduar me ta?”, ka thënë ai. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark